Marrëdhëniet e trazuara të Hungarisë me Ukrainën fqinje janë përkeqësuar sërish së fundmi pasi kryeministri Viktor Orban prishi ëndrrat e vendit për anëtarësimin në NATO me një postim në Twitter.
“Çfarë?!” shkroi hungarezi, duke iu përgjigjur deklaratës së Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg në Kiev se “vendi i merituar i Ukrainës është në NATO”.
Marrëdhëniet mes Budapestit dhe Kievit janë ende të tensionuara. Hungaria kaloi vite duke bllokuar seancat e nivelit të lartë të NATO-s me zyrtarët ukrainas dhe pavarësisht se dënon pushtimin në shkallë të plotë të Rusisë, vendi ka refuzuar të dërgojë armë për të ndihmuar fqinjin e saj.
Ndërkohë, zyrtarë të lartë hungarezë vazhdojnë të vizitojnë rregullisht Moskën dhe të mbajnë lidhje të ngushta me Kremlinin.
Në të njëjtën kohë, bashkimi i Hungarisë me Turqinë për të penguar Suedinë të hyjë në NATO ka frustruar kryeqytetet perëndimore.
Aleatët e NATO-s, përfshirë Hungarinë, vendosën në vitin 2008 që Ukraina do t’i bashkohet përfundimisht aleancës.
Por rruga e Kievit drejt NATO-s ka patur pengesa dhe në shtator udhëheqja e Ukrainës kërkoi një “aderim të përshpejtuar” për t’u anëtarësuar, ndonëse duket se procesi do të zgjasë me vite të tëra.
Çështja është shumë e ndjeshme.
Shumica e aleatëve të NATO-s, përfshirë SHBA-në,duan të shmangin çdo lëvizje në këtë moment.
Ndërsa një grup anëtarësh lindorë po kërkojnë tani që NATO t’i japë Kievit një sinjal se po i afrohet aleancës.
Por mbetet e paqartë se çfarë lloj sinjali do të zgjedhin liderët e NATO-s t’i japin presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në samitin e ardhshëm të aleancës, të planifikuar për në korrik.