MENU
klinika

UÇK çon në këmbë Kosovën

Qytetarët mbushin sheshet e Prishtinës një ditë para gjyqit në Hagë

02.04.2023 - 16:21

Në Prishtinë po zhvillohet sot një marshim solidarizues në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe bashkëluftëtarët e tyre që ndodhen në Hagë. Protesta është organizuar nga Platforma “Liria ka emër” dhe ka mbështetjen e partive politike, shoqërisë civile, bashkësisë fetare dhe shumë qytetarëve.

Me mijëra protestues janë në sheshet e Prishtinës, në përkrahje të krerëve të UÇK-së. Disa pamje që janë publikuar nga lart mund të shihet se tashmë të gjitha sheshet janë të mbushura.

Ideatorët e platformës “Liria ka emër”, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli kanë deklaruar se ish-krerët e UÇK-së nuk po përballen me akuza dhe procese gjyqësore për shkak të emrave të tyre të përveçëm, por sepse emrat e tyre lidhen me luftën e Kosovës për liri.

Duke i cilësuar të pabaza akuzat dhe të padrejtë zvarritjen e hetimeve, organizatorët e marshimit kanë bërë thirrje për pjesëmarrje masive. “E vërteta e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për lirinë është e vërteta e Kosovës, të cilën duhet ta mbrojmë të gjithë.”-kanë thënë organizatorët Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli. Marshimi “Liria ka emër” do të nisë në sheshin “Zahir Pajaziti” dhe do të mbyllet në sheshin “Skënderbeu” Marshimi mbahet një ditë para se të nisë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UCK në Hagë.