MENU
klinika

Mund të largohet nga pushteti më shpejt seç pritej

“Shkundet” politika në Serbi, Kosova “thyen” Vuçiçin

12.04.2023 - 10:38

“Nuk mund të ulesh në dy karrige në të njëjtën kohë, veçanërisht nëse ato janë kaq larg njëra-tjetrës”, tha Hoyt Brian Yee në vitin 2017, në atë kohë zëvendësndihmës Sekretar i SHBA-së për çështjet evropiane dhe euroaziatike, duke dhënë kështu një mesazh të ashpër për Serbinë në vitin 2017. Beogradit duhej të bënte një zgjedhje midis Perëndimit dhe Rusisë. Gjashtë vjet më vonë, politika e jashtme serbe është ende në vend numëro. Ndërsa presioni për presidentin e vendit, Aleksandër Vuçiç ka patur vetëm kurbë rritëse, ditë pas dite, ngjarje pas ngjarjeje. Arsyeja? Në fakt nuk është vetëm një, por shumë. Brenda vendit, pakënaqësitë kanë nisur që me planin franko-gjerman, e kanë përfunduar me marrëveshjen e Ohrit, të 18 marsit, me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Ndërsa jashtë vendit, është pikërisht luhatja e presidentit serb, mesa duket i ngecur, mes dëshirës për të çuar deri në fund objektivat e integrimit europian, ndërsa nga ana tjetër refuzimi për të vendosur sanksione për vendin aleat, Rusinë, për shkak të luftës në Ukrainë. Megjithatë, sot më shumë se kurrë, duket se Vuçiç ndodhet në një udhëkryq dhe situatën e përkeqësojnë thirrjet e opozitës për largimin e tij nga pushteti.

Takimi i Ohrit

Opozita në Serbi kërkoi dorëheqjen e presidentit Aleksandër Vuçiç, menjëherë pas 18 marsit, duke reaguar për arritjen e pajtimit me Kosovën për të zbatuar propozimin e Bashkimit Europian për normalizimin e marrëdhënieve. Madje lideri i Lëvizjes së djathtë Dveri, Boshko Obradoviç, kërkoi dorëheqjen e Vuçiçit, si zgjidhje e vetme e krizës politike. Ai tha se Vuçiç në mënyrë të paautorizuar ka marrë përsipër obligimin që të fillojë zbatimin e Marrëveshjes, të cilën ai e vlerëson si grush-shtet. Ish-shefi i diplomacisë serbe Vuk Jeremiç marrëveshjen e quajti tradhti. Megjithatë, Vuçiç ka tentuar sërish që të ndryshojë qëndrimin e tij, duke sqaruar se zbatimi i planit të BE-së do të bëhet deri në vijat e kuqe të Serbisë.

“Ujku i Platinit”

Mirëpo, vetëm pas ditë pas kësaj “rrëmuje politike” në Serbi, Vuçiç u bë sërish shënjestër e opozitarëve, kësaj here për stërvitjet “Ujku i Platinit”. Ushtria serbe do t’i bashkohet stërvitjes ushtarake me pjesëtarë të ushtrisë amerikane dhe partnerë perëndimorë këtë vit, e cila do t’i japë fund moratoriumit për pjesëmarrjen në stërvitjet dypalëshe dhe shumëpalëshe me të gjithë partnerët e huaj. Lëvizja e djathtë Dveri i ka bërë thirrje ministrit të Mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviq, të anulojë stërvitjen. Deputeti Borko Pushkiq, u tha gazetarëve se vendimi për mbajtjen e saj ishte “jokushtetues” dhe “i paligjshëm”.“Serbia është nën presion të vazhdueshëm për t’iu bashkuar histerisë kundër Rusisë”, ka thënë Puskiq, duke theksuar se qëllimi i SHBA-së është t’i japë fund bashkëpunimit strategjik ndërmjet Serbisë dhe Rusisë në fushën ushtarake, gjë që, siç theksoi ai, e ka ndihmuar shumë Serbinë. I pyetur për pasojat për marrëdhëniet me Rusinë nga ajo stërvitje, ai tha se Moska deklaroi se do ta monitorojë me kujdes dhe se është në interesin e Rusisë që Serbia të mbetet ushtarakisht neutrale.

Dorëheqje apo rrëzim nga pushteti?

Në janar, teksa vazhdonin negociatat Kosovë-Serbi, thashethemet për dorëheqjen e Vuçiçit morën “dhenë”, madje thuhej se ai kishte informuar partinë e tij për vendimin. Sipas mediave lokale, Vuçiç kishte reaguar duke thënë se nëse dikush mendon se mund ta drejtojë vendin më mirë se ai, ishte i gatshëm të dorëhiqej dhe kishte braktisur takimin. Lidhur me këtë, Anëtari i Kryesisë së Partisë Progresive Serbe, Vladimir Gjukanoviç ka thënë se Vuçiç do të largohet nga pushteti, me dëshirën e tij, jo nga opozita. “Duke e njohur, mendoj se ai moment do të vijë vërtet shumë shpejt, ndoshta edhe para përfundimit të mandatit të dytë”, tha ai. “Për dallim nga Milo Gjukanoviç, Vuçiç e kupton se çfarë duhet të bëhet dhe se disa njerëz të rinj duhet të udhëheqin politikën. Është e rëndësishme të ketë energji të re, gjak të freskët”, ka theksuar Gjukanoviç. Siç tha ai, “në përgjithësi, fytyrat e reja në skenën politike janë të pashmangshme dhe askush nuk është i përjetshëm”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Serbia e di që nuk duhet të..."

BBC: Në Kosovë s’ka rrezik të ndodhë gjë