MENU
klinika

Editoriali i The Guardian

Trump kundër ligjit: Kush do të fitojë?

04.04.2023 - 08:30

Donald Trump e ka ndërtuar karrierën e tij mbi paturpësinë.

Një njeri pa turp, ai është bërë personazh përmes skandaleve seriale, dy shkarkimeve, refuzimit elektoral dhe një kryengritjeje të armatosur nga mbështetësit e tij.

Tani ai po krijon një tjetër precedent të zymtë, si ish-presidenti i parë i SHBA në histori që akuzohet për një vepër penale. Gjysmë shekulli pas hetimit të parë në marrëdhëniet e tij të biznesit, një juri e madhe e Nju Jorkut ka votuar për ta paditur atë.

Ai do të vazhdojë të luftojë ligjin dhe ligji mund të mos fitojë.

Fakti që rasti lidhet me pagesën e parave të heshtura për aktoren e filmave për të rritur Stormy Daniels është shqetësues, duke patur parasysh dëmin që ai i ka shkaktuar kombit.

Ai ende përballet me shumë çështje të tjera civile dhe penale: vetëm për këtë të fundit, ai po hetohet në lidhje me keqpërdorimin e mundshëm të dokumenteve të klasifikuara; përpjekjet për të përmbysur humbjen e tij në Gjeorgji në zgjedhjet e vitit 2020; dhe pengimin e transferimit të pushtetit, si pjesë e hetimit të departamentit të drejtësisë për kryengritjen e 6 janarit.

Aktakuza është ende e paqartë, por thuhet se përfshin disa çështje. Ndonëse ka pranuar autorizimin e një pagese prej 130,000 dollarësh në prag të zgjedhjeve të 2016-ës, Trump ende mohon lidhjen me Daniels, duke pretenduar se është viktimë e zhvatjes. Ndonëse ish-avokati i tij, Michael Cohen, u deklarua fajtor për akuzat për financimin e fushatës në lidhje me paratë, çështja duket larg të qenit e drejtpërdrejtë ligjërisht.

Kjo ka nxitur shqetësimet se mund të jetë e pasuksesshme dhe madje mund ta forcojë atë.

Megjithatë, duke thyer tabunë për ngritjen e padive ndaj një ish-presidenti, disa mendojnë se mund të inkurajojë prokurorët e tjerë të ndërmarrin veprime.

Trump po e shfrytëzon rastin në mbledhjen e fondeve dhe pritet ta ndihmojë atë në zgjedhjet paraprake republikane.

Por nuk ka gjasa ta ndihmojë atë në zgjedhjet e përgjithshme, për presiden.

Ish-presidenti, i zhveshur si kurrë më parë, i ka konsideruar akuzat si “ndërhyrje në zgjedhje”, duke akuzuar  prokurorin e qarkut të Manhattan, Alvin Bragg, i cili është me ngjyrë, si racist. Retorika e tij nxitëse është jo vetëm e palogjikshme, por edhe e rrezikshme. Mbështetësit e tij e kanë treguar hapur prirjen e tyre për dhunë.

Të shmangesh nga ngritja e akuzave sepse ato do të rrisin ndarjet dhe mund të shkaktojnë dhunë do të ishte e gabuar.

Si biznesmen dhe politikan, Trump ka kaluar një jetë të tërë duke kërkuar të shmangë pasojat ligjore për sjelljen e tij.

Të lejosh shmangien e pasojave edhe këtë herë do të përforconte mesazhin e tij se e vërteta dhe ligji janë për njerëzit e vegjël dhe se gënjeshtra dhe fuqia do të triumfojnë.

Kjo me siguri do të ishte një goditje shumë më e madhe për demokracinë amerikane.

Burimi: The Guardian

Përktheu dhe përshtati: Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Rikthehet vëmendja tek ish-presidenti

Çfarë dihet për Jurinë e Madhe që po heton Trump?