MENU
klinika

Koha e politikanëve më të rinj

Biden edhe Trump nuk pëlqehen nga shumica e amerikanëve

01.05.2023 - 09:30

Nga John Feehery “The Hill”

Lidershipi i 2 partive të mëdha në SHBA, supozon se Joe Biden dhe Donald Trump do të nominohen nga partitë e tyre përkatëse për president dhe do të konkurrojnë kundër njëri-tjetrit në një revansh epik në zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Po sikur që të dy rezultojnë të jenë tigra prej letre?

Aktualisht ka disa prova të qarta se votuesit janë shumë pak entuziastë të shohin një ripërsëritje të vitit 2020. Sondazhet tregojnë se shumica e amerikanëve nuk duan që të shohin Trump të kandidojë kundër Biden. Që të dy duket se janë shumë më të papëlqyeshëm sesa janë individualisht.

Kjo është arsyeja pse shumica e ekspertëve besojnë në pashmangshmërinë që ata të dy të fitojnë miratimin e partive të tyre. Biden që shpalli të martën synimin e tij për të rikandiduar, për momentin ka kundër vetëm avokatin mjedisor Robert Kennedy Jr. dhe shkrimtaren Marianne Williamson.

Dhe këta të dy shihen nga mediat si jo favoritë. Trump nuk po kryeson vetëm në sondazhet në gjirin e Partisë Republikane. Ai po dominon ndaj guvernatorit të Floridës, Ron DeSantis, rivalit të tij kryesor në këtë garë, me një kombinim reklamash qesharake dhe mashtrimesh që shpërndahen në internet.

DeSantis mund të akuzohet me të drejtë për shumë gjëra, por të deklarosh se Florida e keq-menaxhoi situatën e krijuar nga Covid-19 duke u mbyllur më shumë të shtete e tjera është realisht qesharake. Gjykimi standart në Uashington është shpeshherë i gabuar.

Në vitin 1968, Lyndon Johnson dukej se po shkonte drejt një mandati të dytë, derisa në garë hyri Robert Kennedy, vëllai i presidentit të vrarë, dhe shumë shpejt Johnson njoftoi se nuk do të kandidonte për një mandat tjetër. Dhe në vitin 2016, i gjithë Uashingtoni supozoi se ish-guvernatori i Floridës, Jeb Bush, do ta kishte të lehtë garën drejt nominimit zyrtar nga Partia Republikane, pavarësisht peshës toksike nga presidenca e vëllait të tij.

Ekzistojnë disa arsye pse dy kandidatët kryesorë mund të pengohen në rrugën e tyre drejt nominimeve zyrtare nga partitë e tyre. Reagimi që pati SHBA-ja ndaj pandemisë së Covid-19 mund të bëhet problematik për të dy kandidatët. Tani për tani, si Trump po ashtu edhe Biden kanë përqafuar vaksinën anti-Covid.

Megjithatë, nxitimi për të urdhëruar me ligj vaksinimin, ka bërë që publiku me të drejtë vote të bëhet jo vetëm hezitues por edhe të zemërohet. Robert Kennedy Jr. do të fokusohet në fushatën e tij tek vaksinat MRNA dhe dyshimet mbi to.

Ndërsa shumica e mediave do ta konsiderojnë atë si një kundërshtar të vaksinave, votuesit mund të kenë një pikëpamje tjetër. Së dyti, si Trump po ashtu edhe Biden janë protagonistë të proceseve gjyqësore ndaj tyre, të cilat mund të kenë një efekt jo pak negativ mbi fushatat e tyre.

Deri më tani, ish-presidenti duket i favorizuar për shkak të veprimeve të nxituara nga prokurorët dukshëm partiakë dhe të njëanshëm në New York dhe Atlanta. Përpjekjet e tyre për të “kapur Trump”, vetëm sa i kanë forcuar lidhjet që ai ka me mbështetësit e tij më besnikë. Por duket se ka një vërshim të pafund të padive dhe proceseve gjyqësore, të cilat në një kohë të caktuar mund të ngadalësojnë momentin e favorshëm për Trump. Ndërsa në rastin e Biden, një prokuror në Delaware mund të ketë ecur vërtetë ngadalë në hetimin e tij mbi laptopin personal të djalit të tij Hunter Biden.

Por në një moment drejtësia do të duhet ta thotë fjalën e saj, dhe ajo nuk do të jetë diçka e bukur për djalin më të vogël të presidentit atual. Akuzat për një marrëveshje të fshehtë midis zyrtarëve të lartë të inteligjencës dhe shtabit të Bidenit për të minimizuar këtë histori si një mashtrim të rusëve, vetëm sa shtojnë dyshimin se zgjedhjet e vitit 2020 mund të mos ishin plotësisht të lira dhe të ndershme.

Së fundi, realiteti është se si Joe Biden po ashtu edhe Donald Trump janë më të moshuar sesa shumica e brezit të famshëm të “BabyBoomers” (periudha menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, me një lindshmëri rekord në SHBA), dhe në fakt ata duhet të kalojnë më shumë kohë në fushën e golfit në vend se të drejtojnë vendin.

Gafat e shpeshta të Biden nuk janë thjeshtë të turpshme për vendin, por potencialisht shumë të rrezikshme. Dhe ndërsa Trump duket më i favorizuar sepse është disa vite më i ri, sërish nuk mund të thuhet se është më i freskët nga 4 vite më parë kur mbaroi mandatin e tij të parë.

Ai nuk është një shembull i një të moshuari të shëndetshëm, dhe nganjëherë tregon dukshëm vështirësitë fizike të një njeriu që është gati të mbushë 80 vjeç. Le ta pranojmë: SHBA është gati për ndërrimin e brezave në politikë.

Shumë 80-vjeçarë po drejtojnë ende vendin tonë. Dhe megjithëse mund të kenë shumë përvojë dhe mençuri, atyre u mungon energjia për të udhëhequr Shtetet e Bashkuara në një shekull të mbushur me ndryshime të jashtëzakonshme teknologjike dhe sociale.

Mbetet për t’u parë nëse fushatat e drejtuara nga e majta dhe e djathta mund të rrëzojnë kandidatët kryesorë aktualë. Si Joe Biden po ashtu edhe Donald Trump janë në fakt “tigra letre”, që duken më të frikshëm se sa janë në të vërtetë.

Shënim:John Feehery, bashkëdrejtues i kompanisë konsulente “EFB Advocacy”. Më herët ka qenë zëdhënës i 2 ish-kryetarëve të Kongresit të SHBA-së Dennis Hastert dhe Tom DeLay.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Nga Financial Times/ 'Të rindezin marrëdhëniet transatlantike’

‘Venitet’ tensioni tregtar BE – SHBA

Biden 253 vota, ndërsa Trump vetëm...

‘Beteja’ mes Trump e Biden tani fokusohet në 6 shtete!