MENU
klinika

Analiza

Fundi i Lukashenkos dhe fati i pazgjidhshëm me Putinin

30.05.2023 - 09:30

Prej disa javësh tanimë, gjendja shëndetësore e liderit autoritar të Bjellorusisë Alexander Lukashenko ka qenë një mister dhe çdo dalje e tij publike ka patur vëmendjen maksimale. Në përpjekje për t’i dhënë fund spekulimeve, shërbimi i tij për shtyp ka publikuar së fundmi një mesazh të nënshkruar nga vetë Lukashenko. Në tekst, lideri i dërgoi urimet më të mira presidentit të Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, me rastin e festës kombëtare të Azerbajxhanit.  Partneriteti strategjik mes Minskut dhe Bakut, i cili ka qenë gjithmonë i bazuar në interesa reciproke dhe lidhje miqësie dhe besimi, do të jetë gjithnjë e më solid”, shkruhej në mesazhin e Lukashenkos, të publikuar nga Tass. Megjithatë, duket se kaq prova nuk mjaftojnë për të larguar dyshimet për kreun e shtetit, dhe ashtu siç ndodh zakonisht me diktatorët, asgjë lidhur me ta nuk është 100 përqind e sigurt.

bne IntelliNews - Lukashenko postpones state of the nation speech as health fails

Takimi me Putin

Së fundmi, është raportuar se Lukashenko është shtruar me urgjencë në spitalin e Moskës menjëherë pas një vizite në Rusi dhe një takimi me dyer të mbyllura me mikun e tij Vladimir Putin, pasi gjendja e tij shëndetësore është rënduar sërish. Kundërshtari i Lukashenkos, Valery Tsepkalo, një ish-kandidat për presidencën e Bjellorusisë shkroi: “Sipas informacioneve paraprake, për të cilat pritet konfirmim i mëtejshëm, Lukashenko u dërgua me urgjencë në Spitalin Qendror të Moskës pas takimit të tij me dyer të mbyllura me Putinin. Ai do t’i nënshtrohej pastrimit të gjakut”. “Përpjekjet për të shpëtuar diktatorin bjellorus synojnë të shuajnë spekulimet në lidhje me përfshirjen e pretenduar të Kremlinit në helmimin e tij “, shtoi ai, duke u bërë thirrje udhëheqësve perëndimorë të përgatiten për një periudhë tranzitore për Bjellorusinë, në rast se lideri ndërron jetë. Fakti që Tsepaklo është disident dhe mbi të gjitha që ai i ka bërë një thirrje qeverive perëndimore duhet t’i shtyjë analistët t’i kushtojnë vëmendje deklaratave të tij befasuese.

Dora e Kremlinit

E sigurt është se shëndeti i Lukashenkos është në qendër të mediave, brenda dhe jashtë vendit. Më 23 maj, presidenti bjellorus shpjegoi se ai kishte një adenovirus. “Nuk do të vdes, mos u shqetësoni”, deklaroi ai pak ditë më parë, duke u përpjekur t’i japë fund thashethemeve. Një aleat prej dekadash i presidentit rus Vladimir Putin , Lukashenko, 68 vjeç, u rishfaq në publik më 15 maj pas një mungese prej gati një jave dhe pasi humbi ceremoninë e Ditës së Flamurit për herë të parë që kur ai mori detyrën më të lartë të shtetit të republikës ish-sovjetike, 29 vjet më parë. Pamja e tij, me dorën e fashuar, nuk i zbehu aspak dyshimet e atyre që besonin se ishte i sëmurë rëndë ose madje se ishte helmuar. Disa madje thonin se Kremlini u përpoq ta vriste. Më 9 maj, Lukashenko u ftua nga Putin në Moskë për Ditën e Fitores . Aleati i Kremlinit vendosi kurora me lule në Varrin e Ushtarit të Panjohur dhe mori pjesë në paradën e planifikuar ushtarake. Sipas disa thashethemeve, megjithatë, ai nuk mori pjesë në drekën e organizuar nga presidenti rus së bashku me të ftuarit e tjerë dhe madje do të ishte kthyer herët në Minsk për arsye të paspecifikuara shëndetësore. Burime jozyrtare shtuan se Lukashenko nuk dukej në formë të mirë gjatë paradës dhe se ai lëvizi kryesisht me makinë, jo në këmbë si të tjerë.

Plani i opozitës

Sakaq, udhëheqësja pro-demokratike bjelloruse Svjetlana Tihanovska ka paralajmëruar se pasiguria për shëndetin e tij po rrit me shpejtësi perspektivën e kaosit politik në Bjellorusi. Sipas saj, aleatët e tij në Rusi në radhë të parë do të përpiqen të përfitojnë nga trazirat, ndaj duhet një reagim shumë i shpejtë në rast se diçka ndodh, duke aluduar për humbjen e papritur të pushtetit të Lukashenkos, për shkak të vdekjes, gjendjes shëndetësore, një grusht shteti ose dorëzimit vullnetar. “Strukturat qeveritare do të ‘pushtohen’ nga kaosi i papritur dhe i paparashikueshëm. Rusia sigurisht që do të dëshirojë të ndërhyjë në proces dhe opozita bjelloruse duhet të ketë një plan të gatshëm se si të veprojë në këto rrethana”, ka thënë Tihanovska. Sipas saj, nëse vjen një mundësi e tillë, koha do të jetë vendimtare.