MENU
klinika

“Durrësi, Elbasani dhe Shkodra, me risk të lartë”

ISP publikon zonat problematike dhe shkaqet

04.05.2023 - 13:57

Tensionet politike, pjesëmarrja dhe ndikimi i oligarkëve apo bandave kriminale, konkurrenca e ashpër, diferenca në vota mes partive dhe kandidatëve, si dhe angazhimi i shtetit apo përdorimi i burimeve shtetërore në fushatën për vendoret e 14 Majit, janë alarm i kuq në garën elektorale në disa bashki.

Sipas gjetjeve të publikuara nga Instituti i Studimeve Politike mbi analizën e situatës aktuale politike dhe ecurinë e fushatës elektorale nga janari i këtij viti, rezultojnë se në 10 bashki situata nuk është aspak e qetë.

Harta e zonave zgjedhore është ngritur mbi potencialin për tensione, presione, incidente, trafikim të votës, abuzim me ligjin elektoral, akuza për manipulim, kontestim të mundshëm dhe rivalitet të ashpër politik gjatë zgjedhjeve vendore 2023.

Kështu, rezulton që Durrësi, Kamza dhe Vau i Dejës janë tri bashkitë me riskun më të lartë, si zona të nxehta në zgjedhjet vendore të 14 Majit.

Në këto tre qytete gara për drejtuesin e ri lokal ka të njëjtin koeficient negativ, plot 92%, që vjen nga rivaliteti dhe gara fortë mes kundërshtarëve politikë pjesëmarrës. Qyteti bregdetar ku konkurrenca mes PS dhe opozitës e përfaqësuar nga koalicioni “Bashkë Fitojmë” është e forte, pasi në garë janë dy kandidatë, Emiriana Sako dhe Igli Cara është në të njëjtin nivel me dy bastione të Partisë Demokratike, por që nga 2019 drejtohen nga socialistët, ndërsa demokratët duan rikthimin me çdo kusht në krye të bashkisë.

Më diferencë shumë të vogël risku, poshtë tyre janë 7 bashki të tjera, kryesisht bastione të së djathtës. Në listë të parë, janë bashkitë Shkodër dhe Elbasan me 90% të riskut dhe Kavajë, Kurbin e Lezhë me 88% të riskut.

Në të pesta bashkitë, gara është e fortë dhe problemet që mund të shoqërojnë procesin janë nga më të ndryshmet. Problematike paraqiten jo pak edhe Kukësi, Malësia e Madhe, Shijaku, Kruja, Dibra, Bulqizë dhe Hasi.

Në krahun tjetër, “nga raporti rezultojnë edhe disa bashki, në të cilat situata zgjedhore është shumë më e qetë, në të gjithë komponentët e saj dhe ku shanset për risk elektoral janë minimale, kryesisht bashkitë e jugut dhe ajo e Tropojës. Merita specifike e këtyre zonave, krahas treguesve objektivë, janë edhe vetë kandidatët për kryetarë bashkie dhe këshilltarë, të cilët kanë dëshmuar dhe dëshmojnë sjellje më të përgjegjshme dhe përpjekje për të zhvilluar procese zgjedhore sa më afër normave të përcaktuara nga Kodi Zgjedhor”, thuhet në gjetjet e ISP. Në nivel qarqesh, Durrësi paraqitet më problematiku e ndjekur nga Shkodra dhe qarku i Lezhës.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Nga Mentor Nazarko

Basha para derës