MENU
klinika

Prokuroria kërkon heqjen e 11 pikëve

Juventusi sot përballë togave të zeza

22.05.2023 - 12:09

Trupa Federale e Apelit do të vendosë sot për fatin e Juventusit. Prokuroria ka kërkuar 11 pikë penalizim për skuadrën e Allegrit. Është dita e Juventusit, në çdo sens. Jo vetëm në fushë, ku bardhezinjtë janë të impenjuar ndaj Empolit, mbi të gjitha në gjykatën e Trupës Federale të Apelit, që do të ridizenjojë për të disatën herë renditjen, me shpresën për të mbyllur përfundimisht çështjen e plusvalencave.

Gjyqtarët duhet të vendosin sa pikë i duhen hequr Juventusit nga renditja, pas kërkesës për rimodulimin e dënimit të Kolegjit të Garancisë së CONI-t. Prokuroria Federale, e udhëhequr nga Chiné, ka kërkuar një penalizim me minus 11 pikë në klasifikim, si dhe pezullim për 8 muaj të drejtuesve të përfshirë.

Ndëshkimi i ri do të ketë pasoja te Juventusi, pasi mund ta nxjerrë jashtë 4 vendeve të para dhe jashtë Championsit. Bardhezinjtë do të përfundonin pas Milanit, aktualisht në vend të 5-të.

Që kjo të ndodhë, do të mjaftonte një dënim me 9 pikë minus, por ndoshta mund të mos mjaftonte për të lejuar skuadrën e Allegrit ta kalonte sërish Milanin në javët e mbetura. Për më tepër këto dy skuadra do ndeshen mes tyre të dielën e ardhshme.

Vendimi pritet gjatë mbrëmjes, gjatë ose pas ndeshjes me Empolin. Ndoshta çështja e plusvalencave mund të mos mbyllet përfundimisht, do të vlerësohet me kujdes edhe nga UEFA, që mund ta përjashtojë Juventusin jo vetëm nga Championsi i sezonit të ardhshëm, por edhe nga ndonjë kompeticion tjetër europian.