Kandidati i “Bashkë Fitojmë” që fitoi Bashkinë e Himarën, Fredi Beleri, do të dalë të hënën në gjykatë për rivlerësimin e masës së sigurisë.
Gjyqtare e çështjes do të jetë Atalanta Zeqiri dhe seanca do të zhvillohet në orën 13:00. Fredi Beleri u arrestua mbrëmjen e datës 12 maj, në ambientet e jashtme të lokalit të tij, nën akuzën për ‘korrupsion aktiv në zgjedhje’.
Ai u la në burg nga Gjykata e Vlorës, e cila më pas ia kaloi çështjen SPAK-ut.
Si u zbulua
Padia ndaj Belerit është bërë në datë 8 Maj nga një person me iniciale A.R. i cili ka thënë policisë se Beleri dhe persona të tjerë të shtabit të tij elektoral i kanë ofruar para në këmbim të votës.
Pas denoncimit, ai ka rënë dakord që të takojë sërish Belerin dhe të regjistrojë bisedën për të faktuar akuzat e ngritura ndaj tij.
Sipas dosjes së prokurorisë, Beleri premtonte pagesa nga 50 deri në 200 euro në këmbim të votës, si dhe premtim për skemën e përfitimit të shtetësisë greke dhe pensionit në shtetin grek.
Dy ditë më pas, në datën 10 Maj ai është takuar sërish me Belerin gjatë paradites në një lokal në zonën e Potamit. Aty ata kanë rënë dakord që shtetasi A.R. do të hartonte një listë zgjedhësish që do të votonin pro Belerit dhe pastaj do ia dorëzonte atij.
Më pas gjatë pasdites, ai i ka thënë Belerit se ka siguruar një listë prej 13 personash.Beleri i ka premtuar një pagesë 50 euro për çdo votues dhe 300 euro për të, kur të bindej se personat që kishin emrin në listë kanë votuar për të.
Shtetasi A.R. është takuar me një person me emrin Pandeli Kokaveshi për t’i dorëzuar listën e votuesve për Belerin. Ky i fundit i ka dhënë 40 mijë lekë të reja si pagesë për 8 vota, duke thënë se emrat e tjerë në listë i kishte siguruar ai.
“Shtetasi A.S. e ka pyetur nëse i ka dhënë gjë për të Fredi dhe ai i ka thënë që do të flisnin prapë”, thuhet në dosjen e prokurorisë.