MENU
klinika

"Do të kryhej nga një grup kriminal"

Parandalohet atentati në Berat, Policia jep detaje

31.05.2023 - 10:41

Policia e Beratit ka shpallur në kërkim 3 persona, të cilët, sipas saj, do të kryenin një atentat në qytet. Policia gjithashtu dyshon se ka edhe persona të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.

“Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Berat, menjëherë pasi kanë siguruar informacion se disa shtetas do të kryenin një vrasje në qarkun e Beratit, kanë organizuar punën, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Berat, me qëllim parandalimin e atentatit, si dhe për kapjen e shtetasve që do ta kryenin atë.

Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Berat dhe ato të Komisariatit të Policisë Berat, në kuadër të operacionit policor të koduar “Objektivi”, kanë ngritur pika kontrolli me shërbime grackë, në disa rrugë dhe fshatra ku dyshohej se mund të kryhej kjo ngjarje kriminale.

Shtetasit që kishin planifikuar këtë atentat, në pamundësi për të realizuar qëllimin e tyre, të gjendur nën presionin e Policisë, kanë fshehur automjetin brenda të cilit kishin mjetet për kryerjen e krimit, dhe duke përfituar nga errësira, janë larguar në zona të pyllëzuara”, tha policia.

Policia ka mundur të gjejë një automjet, një motor të vjedhur, me 2 skafandra, veshje kamuflazhi (xhup meshini), një armë zjarri automatik me silenciator, një pistoletë me silenciator dhe një sasi municioni luftarak.

“Në vijim, në kuadër të operacionit policor të koduar “Objektivi”, nga kontrolli në banesën e njërit prej shtetasve të shpallur në kërkim, konkretisht në banesën e shtetasit E. G., u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 2 radio marrëse-dhënëse, dylbi, dorashka dhe lëndë djegëse.

Në vijim të veprimeve të shpejta hetimore, të kryera nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Berat, në bashkëpunim me Prokurorinë, u bë i mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e shtetasve:

-H. B., 55 vjeç, banues në Kosovë; -A. Sh., 30 vjeç, banues në Korçë; -E. G., 43 vjeç, banues në Tiranë”.