MENU
klinika

"U jam mirënjohës demokratëve që qëndruan në shtëpi"

Rama “përqafon” fitoren: Turin e falenderimeve do e nis nga Shkodra

15.05.2023 - 22:36

Kryeministri Edi Rama do të nisë një tur në të gjitha bashkitë e fituara nga socialistët, për të falenderuar siç u shpreh ai, të gjithë ata qytetarë që bënë zgjedhjen e duhur duke i besuar Partisë Socialiste.

Në një konferencë për media nga Selia Rozë, Rama falenderoi votuesit, drejtuesit politikë, kandidatët, deputetët si dhe patronazhistët dhe aktivistët, pa të cilët PS nuk do të ishte kaq shumë para kundërshtarit, tha ai.

Në fund Rama, e pati edhe një falenderim për demokratët që nuk votuan, pasi siç tha ai, iu bashkuan Shqipërisë krenare, dinjitoze dhe mike të palëkundur të SHBA-së.

“Unë e kam të nevojshme të shkoj menjëherë në Shkodër, për të nisur menjëherë një tur falenderimi. Këto ishin zgjedhje vendore me ata që i shikonin këto zgjedhje si një aksion për përmbysjen e qeverisë. Ne duhet të vazhdojmë pa humbur kohë punët që u ngadalësuan nga fushata. Me një grup pune do të përgatis një raport të detajuar të votës. Dua që të gjithë ta dinë, kryebashkiakët tanë, drejtuesit, deputetë, u jam tejet falenderues dhe admirues për arritjet e tyre. Edhe më falenderues u jam socialistëve të bazës.

Pa diskutim patronazhistëve të palodhur dhe aktivistëve të paepur, pa të cilët manikerisë tonë do i mungonin shumë kuaj fuqi. Falenderues i jam edhe skuadrës sonë të statistikave dhe trendeve të bëra në bazë shkencore. Falenderimi i shkon zgjedhësve tanë nga Thethi deri në Finiq. Të cilët na dëgjuan dhe na besuan. Dua të falenderoj nga zemra edhe çdo zgjedhës të djathtë. U jam mirënjohës edhe atyre sepse me mungesën e tyre iu bashkuan Shqipërisë krenare, dinjitoze, mike e palëkundur e SHBA. Atyre që nuk ia dolën të dalin nga këneta e së shkuarës, uroj që rezultati t’u ketë shërbyer për të kuptuar se në kënetë nuk ka të ardhme por vetëm të shkuar. Për mua ky rezultat është një mesazh i jashtëzakonshëm, për t’u lexuar. Do ta bëjmë këtë duke nisur me turin e falenderimeve”, deklaroi Rama.