MENU
klinika

Panairi i librit

Stenda shqiptare tërheq vëmendjen në Torino

19.05.2023 - 12:20

Në ditën e parë të Sallonit Ndërkombëtar të Librit në Torino, stenda shqiptare ka tërhequr vëmendjen e mijëra vizitorëve.

Stenda e Shqipërisë paraqitet si një shkëmb që i hapet botës përmes letërsisë, frymëzuar nga “Kronikë në gur” i Kadaresë.

Kjo vepër sa arkitekturore aq edhe artistike vjen nga arkitektja Matilda Pando dhe skulptori Ergys Krisiko.

“Një punë e palodhur në një kohë fare të shkurtër nga vajza e djem në Ministrinë e Kulturës dhe Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, me mbështetjen e partnerëve tanë: Shoqata e Botuesve Shqiptarë, Regione Puglia, Qendra Shqiptare e Torinos e të tjerë”, shkruan ministrja e Kulturës, Elva Margariti në rrjetet sociale ku ka ndarë foto nga aktiviteti i një dite më parë.

Ministrja ka ndarë foto edhe nga takimi me homologun e saj, Gennaro Sangiuliano me të cilin ka diskutuar për çuarjen përpara të raportit mes dy vendeve, programin kulturor që u firmos një vit më parë dhe projekte të reja, lidhur me trashëgiminë kulturore.

“Rrethuar nga libra, autorë, lexues, botues nuk mund të ideosh veçse projekte që i përkasin kulturës”, shkruan Margariti.