MENU
klinika

"I di sekretet për të triumfuar në atë pistë"

Verstappen kërkon fitoren në Monte Carlo

25.05.2023 - 17:35

Max Verstappen është gati për të marrë fitoren e radhës në Formula 1 dhe për të mbajtur kryesimin e renditjes për pilotë. Sportisti i Red Bull do kërkojë një tjetër sukses, këtë herë në pistën qytetase të Monte Carlos.

Shtyrja e garës në Imola të Italisë për shkak të përmbytjeve, ka bërë që Formula 1 të mos zhvillojë aktivitetin fundjavën e shkuar. Tanimë në pistën qytetase të Monte Carlos, gjithçka mund të vendoset edhe nga provat, pasi në një pistë të tillë është e vështirë të parakalosh.

“E dimë që në Monte Carlo është shumë e rëndësishme të arrish një kohë të mirë në provat zyrtare. Ne do të përpiqemi të jemi më të mirët ditën e shtunë dhe më pas të menaxhojmë rezultatin të dielën. Një pistë e ngushtë, ku parakalimet janë të vështira, ndaj gjithçka do të venedoset të shtunën”, tha Max Verstappen, piloti i Red Bull.

Verstappen foli edhe për strategjinë që skuderia e tij do duhet të përdorë në një pistë me specifika të veçanta.

“Nuk ka për të qenë e lehtë të realizosh një xhiro të mirë, pasi këtu në dy sezonet e fundit ka fluturuar Ferrari me Charles Leclerc. Gjithashtu, strategjia do të ndikojë në këtë garë, pasi mund të bëjmë një garë ndryshe nga rivalët. Kjo është një garë e shtëpisë për mua, pasi jetoj këtu, ndaj do të kem mjaft tifozë që nuk dua t’i zhgënjen”, u shpreh Verstappen.