MENU
klinika

Analiza

Zelensky i ka shkelur premtimet që i ka bërë Perëndimit

16.05.2023 - 09:00

Nga Marsela Shytia

Ndihma perëndimore ka qenë pa dyshim një nga arsyet pse lufta në Ukrainë është në këtë pikë. Është po ashtu “çelësi” i kundërofensivës ukrainase, që pritet të nisë së shpejti. Megjithatë, me një kusht: Të mos sulmohet territori rus, duke përshkallëzuar situatën. Tani Ukraina po bën ekzaktësisht të kundërtën. “Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dhe bashkëpunëtorët e tij po shqyrtojnë seriozisht mundësinë e sulmeve të fuqishme ndaj Rusisë duke përdorur armë perëndimore”, raportoi “Washington Post”, duke iu referuar dokumenteve konfidenciale të shërbimeve amerikane që u zbuluan përmes platformës Discord. Sipas tyre, Zelensky ka thënë që të nisë pushtimi i fshatrave ruse, bombardimin e një tubacioni që transporton naftë ruse në Hungari, dhe që Ukraina të blejë raketa me rreze të gjatë për të synuar objektivat në tokën ruse. “Washington Post” shkruan se dokumentet “zbulojnë një lider me instinkte agresive, në kontrast me imazhin e tij publik si një burrë shteti i qetë që duron në mënyrë stoike sulmin brutal të Rusisë”.

Dokumentet sekrete

Dokumentet e publikuara deri më tani zbulojnë shqetësimin e thellë të inteligjencës dhe udhëheqjes ushtarake amerikane për drejtimin e luftës dhe aftësinë e ushtrisë ukrainase për të kryer një ofensivë të suksesshme kundër forcave ruse. Ndër dokumentet e zbuluara është një vlerësim i Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes, sipas të cilit “negociatat për t’i dhënë fund konfliktit nuk kanë gjasa gjatë vitit 2023”. Ndër tyre, pa dijeninë e autoriteteve amerikane janë edhe përmbledhjet e bisedimeve të nivelit të lartë midis liderëve botërorë, si dhe informacione rreth teknologjisë së avancuar satelitore të përdorur nga Amerika për spiunazh.

Planet e Zelenskyt

Në një takim me udhëheqjen ushtarake në fund të janarit, Volodymyr Zelensky sugjeroi që ata “të kryejnë sulme në Rusi”, domethënë që trupat ukrainase të kalojnë kufirin rus dhe të pushtojnë disa pika kufitare. “Qëllimi do të ishte rritja e fuqisë së Kievit në negociatat me Moskën”, tha Zelensky. Dokumenti është konsideruar si “rreptësisht konfidencial”. Në takimin e dytë, një muaj më vonë, në fund të shkurtit, Zelensky foli me komandantin e përgjithshëm të ushtrisë ukrainase, gjeneralin Valery Zaluzhny. Gjatë bisedës, presidenti ukrainas shprehte shqetësimin se “Ukraina nuk ka raketa me rreze të gjatë veprimi të afta për të arritur trupat ruse të vendosura në Rusi” raporton Washington Post. Zelensky më pas propozoi që, duke përdorur dronë, ata të sulmonin objektivat ushtarake ruse rreth Rostovit në tokën ruse. Në një takim në mes të shkurtit me zëvendëskryeministren Yulia Svridenko, Zelensky sugjeroi që forcat ukrainase të “hidhnin në erë” tubacionin sovjetik Druzhba që furnizon Hungarinë me naftë. Gazeta amerikane nuk zbulon sesi gjeneralët dhe pjesëmarrësit e tjerë në bisedime reaguan ndaj propozimeve të Volodymyr Zelenskit.

US President Joe Biden, right, and Ukrainian President Volodymyr Zelenskyy talk during an unannounced visit in Kyiv, Ukraine, Monday, Feb. 20, 2023. (Ukrainian Presidential Press Office via AP)

Sulmi me dron

Rusia këtë muaj akuzoi Ukrainën për organizimin e një sulmi me dron që synonte të vriste presidentin rus Vladimir Putin në Kremlin. Videot që qarkullojnë në mediat sociale, të konfirmuara nga “Washington Post”, tregojnë dy dronë që lëvizin me shpejtësi drejt Kremlinit rreth orës 2:30 të mëngjesit. Kievi mohoi se ata ishin pas saj. Një nga dokumentet përshkruan një plan të zhvilluar vitin e kaluar nga shërbimi i inteligjencës ushtarake ukrainase për të kryer sulme sekrete ndaj forcave ruse në Siri, ku ukrainasit do të mbështeteshin fshehurazi në ndihmën ushtarake të kurdëve. Kjo do të hapte një front të ri mijëra kilometra larg Ukrainës. Por në dhjetor, Zelenskiy urdhëroi bashkëpunëtorët të “ndalonin planifikimin e operacioneve kundër forcave ruse në Siri”, thuhet në dokument. Nuk ka informacione se përse është ndërprerë procesi i planifikimit. Në një intervistë të fundit, Zelenski tha se bashkëpunon me shumë gjeneralë dhe se këto janë bisedat e tij private. Ai theksoi se rezervon të drejtën e tij për të hetuar se cilat opsione ushtarake janë në dispozicion të Ukrainës. “Lufta po zhvillohet për okupimin e Ukrainës, Ukraina duhet të fitojë”, tha presidenti ukrainas.