MENU
klinika

"Serbia të lirojë policët e rrëmbyer"

DASH kërkon hapa urgjent për qetësimin e situatës

24.06.2023 - 10:21

Departamenti amerikan i Shtetit sërish ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të ndërmarrin hapa urgjent dhe konkret në depërshkallëzimin e situatës, si dhe t’i kthehen dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Sipas tij, kjo përfshin lirimin pa kushte të tre policëve të Kosovës, të cilët u rrëmbyen nga forcat serbe para më shumë se një jave, raporton Express.

DASH ka theksuar se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian janë shumë të qartë për pritshmëritë e tyre nga të dyja palët.

“Ne vazhdojmë t’i bëjmë thirrje Serbisë dhe Kosovës që të ndërmarrin hapa urgjent, konkretë për të de-përshkallëzuar tensionet. Kjo përfshin lirimin pa kushte të tre policëve të Kosovës të ndaluar në Serbi”, thuhet në një përgjigje të Departamentit për Zërin e Amerikës (në gjuhën serbe).

Më tej, Departamenti amerikan i Shtetit thotë se “të dyja palët duhet të ndjekin planin e propozuar nga Bashkimi Evropian dhe të kthehen pa vonesë në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN