Parcela të tëra me grurë janë rrafshuar nga stuhia në fshatin Turan të Korçës. Moti i keq me shi e breshër kanë sjellë dëme të mëdha në bujqësi e sidomos në kulturën e grurit.
Në fshatin Turan të njësisë Drenovë janë rreth 20 hektarë me grurë dhe elb të dëmtuara, ose ndryshe 35-40% e sipërfaqes totale të mbjellë me këtë kulturë.
“Janë thyer kallinjë, nuk bëhen më! Shiheni vete sa shumë është dëmtuar ka rënë në tokë afro 50%. Unë kam bërë shpenzime, i kam hedhur DAP, nitrat, ure, shumë shpenzime dhe tani nuk pres të marr as 50 mijë lek nga prodhimi i mbetur”, tha një fermer.
Fermerët, ndryshe nga institucionet thanë se asnjë specialist I bujqësisë nuk ka dalë në terren për evidentimin e dëmeve. Ata kërkojnë kompensim, duke theksuar edhe dëmet në kulturat të tjera bujqësore.
“Të gjitha të mbjellat i ka dëmtuar, por sidomos foraxheret e grurin. Ishte stuhi e madhe me breshër. Ne kërkojmë të vijnë specialistët e bujqësisë se s’kanë ardhur fare. Të evidentojnë dëmet dhe të na kompensojmë se ne këtë vit nuk presim të marrim prodhim”, thanë të tjerë fermerë.
Drejtoria e Bujqësisë tha se në gjithë njësinë e Drenovës janë kultivuar 500 hektarë me grurë, por dëmet e para raportohen vetëm në Turan në një sipërfaqe prej 20 hektarësh.