MENU
klinika

80% e pronave të rezervuara nga vendasit

Durrës Yacht Marina vijon shitjen e apartamenteve, pa nisur ndërtimi

13.06.2023 - 10:01

Vijon ende në ajër shitja e apartamenteve për projektin e Durrës Yacht Marina. Kompania “Eagle Hills Real Estate Development” njoftoi se më 16 qershor nisin zyrtarisht shitjet për godinën e katërt me apartamente. Godina e re për të cilën hapen ditën e premte (16 qershor) shitjet është 7- katesh me pamje nga deti dhe 20 metra larg bregut të detit, ndërsa leja për ndërtimin e objektit pritet të merret në muajin shtator sipas agjentëve imobiliare.

Kjo është godina e katërt për të cilën hapen zyrtarisht shitja e apartamenteve. Sipas agjentëve të zyrës së shitjes deri tani janë prenotuar blerjet për të gjitha apartamentet e 3 godinave, ndërsa leje e ndërtimit për to pritet të merret brenda këtij muaji.

“Monitor” u interesua pranë zyrës së shitjes së kompanisë “Eagle Hills Real Estate Development” ku u tha se çmimi minimal për apartamentet me sipërfaqe 70 m2 nis parashikohet të nisë nga 120,000 euro (rreth 1,715 euro për metër katror) me vendndodhje në katin e parë dhe të dytë të ndërtesës, por jo me pamje nga deti dhe çmimi maksimal në total për apartamentet me të njëjtën sipërfaqe banimi do të jetë 180,000 euro (rreth 2,570 euro për metër katror) me pamje nga deti apo nga pishina.

Për apartamentet e shituara në 3 godinat e para 80% e blerësve janë vendas, ndërsa 20% të huaj. Nga zyra e shitjes u nënvizua se çmimet e apartamenteve për 22 godinat e para, të parashikuara për t’u plotësuar tërësisht nga kërkesa vendase do të jenë më të ulëta se projektet e tjera ku parashikohet që t’u vihen në dispozicion të huajve me çmime më të larta.

Edhe pse pronat në projektin e ri “Durrës Yacht & Marina” që pritet të zhvillohet, po shiten në ajër, kjo nuk ka penguar investitorët të rrisin çmimet e apartamenteve krahasuar me apartamentet e godinës së tretë apo me ato të publikuara nga planet e biznesit. Sipas komunikimit të mëparshëm me zyrën se shitjes, çmimet e apartamenteve për ndërtimin e tretë 9-katësh nisën nga 1,650 deri 2,800 euro për metër katror. Çmimi minimal ka pësuar rritje 4%, ndërsa në raport me çmimet e publikuara më herët nga planet e biznesit shtrenjtimi për vlerën minimale është 14%. Vijon e njëjta skemë pagese për totalin e vlerës së apartamentit, 40% e shumës paguhet para dhënies së lejes së ndërtimit

Skema e pagesës për blerësit që prenotojnë apartamente, punimet e të cilave ende nuk kanë filluar, vijon të mbetet e njëjta referuar kontratës së “Marrëveshjes për prenotimin e interesit” që iu dha të interesuarve me 8 dhjetor 2022, kur kompania “Eagle Hills Real Estate Development” çeli zyrtarisht shitjet e apartamenteve për Durrës Yacht Marina. Nga komunikimet me zyrën e shitjeve pranë “Arena Center” u nënvizua se për prenotimin çdo blerës duhet të paguajë tarifën prej 1,200 eurosh. Tarifa e paguar nuk kthehet, por blerësit i llogaritet në këstin e fundit të pagesës.

Pagesat për totalin e vlerës së apartamentit do të shlyhet nëpërmjet 7 kësteve. 3 prej këtyre kësteve apo 40% e vlerës së apartamentit do të paguhet para marrjes së lejes së ndërtimit e ndarë në 20% e çmimit të blerjes të paguhet brenda 5 ditëve nga nënshkrimi i Marrëveshjes Paraprake të Shitjes; 10% e çmimit të blerjes të paguhet jo më vonë se 3 muaj nga data e lejes së ndërtimit dhe 10% e çmimit të blerjes të paguhet jo më vonë se 6 muaj nga data e lejes së ndërtimit.

Konkretisht për ndërtimin e godinës së katërt leja e ndërtimit parashikohet të merret në muajin shtator, çka sipas zyrës së shitjes blerësi i interesuar duhet të përfundojë 3 këstet e vlerës së apartamentit të parashikuar në kontratë. Ndërkohë që për shitjet e përfunduara të 3 godinave të tjera, pritet që leja e ndërtimit të jepet brenda këtij muaji sipas kompanisë. Monitor u interesua pranë operatorëve që zhvillojnë shërbimet portuale brenda portit të Durrësit se nëse janë transferuar dhe nëse kanë nisur përgatitjet për fillim të punimeve të godinave të projektit Durrës Yacht Marina u pohua se nuk kanë pasur asnjë komunikim zyrtar për zhvendosje të tyre.

Sakaq pjesa tjetër e vlerës totale të apartamentit do të paguhet nëpërmjet 3 kësteve sipas skemës: 15% e vlerës para ose pas përfundimit të strukturës, 20% të çmimit do të paguhet para ose pas vendosjes së xhamave dhe 5% e çmimit të blerjes të paguhet brenda 5 ditëve nga data e nënshkrimit të kontratës së shitjes për transferimin e titullit të pronësisë së pronës.

“Durrës Yacht & Marina” është një shoqëri e përbashkët mes qeverisë shqiptare (33% përmes Albanian Seaports Development Company) dhe dy shoqërive nga Emiratet e Bashkuara (Eagle Hills Real Estate Development, sh.a., dhe Nshmi Development L.L.C”, me 67% së bashku) dhe po zbaton projektin me status strategjik “Marina & Jahtet e Durrësit”.

Projekti Durrës Yacht & Marina ka marrë statusin strategjik, pas të cilit shteti shqiptar u bë bashkë-aksioner, pasi në dispozicion të projektit u vunë 80 hektarë tokë shtetërore. Si investitorë kompania ka përfituar lehtësi të shumta si përjashtimi nga taksa e infrastrukturës në ndërtim (4% e vlerës së shitjes dhe taksa e strehimit prej 3%).

Gjithsej, parashikohet ndërtimi i gati 13 mijë apartamenteve (4 mijë në fazën e parë dhe rreth 8,600 në fazën e dytë), ndërsa do të këtë vetëm pak hotele me më shumë se 850 dhoma. Parashikohen vetëm 280 vende për jahte. 93% e sipërfaqes së ndërtimit të parashikuar do të jetë rezidenciale dhe nga 3.5% përkatësisht do të jenë hotele dhe sipërfaqe tregtare.

Investimi i parashikuar në fazën e parë është 595 milionë euro. Por, Kompanive investitorë u kërkohet që të mbajnë në llogaritë e tyre një shumë që korrespondon me tridhjetë për qind (30%) të financimit të nevojshëm për zhvillimin e sheshit të fazës 1, pra rreth 180 milionë euro, ndërsa mund të grumbullojnë të ardhura nga shitjet, apo të fusin bashkë financues të tjerë./Monitor

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Kompanisë i falen taksat, fut sa investitorë të dojë

Investime në “parajsën” e Portit të Durrësit