MENU
klinika

Tensionet në Kosovë

Konjufca: Zgjedhjet në veri vetëm sipas ligjit

24.06.2023 - 10:28

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca thotë se ende nuk ka pajtim për zgjidhjen e situatës në veri, përkundër takimit të së enjtes në Bruksel. Ai shton se dakordimi për organizmin e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore është vetëm në nivelin politik, por jo për mënyrën sesi të ecet përpara për deeskalimin e situatës, raporton Kosovapress.

Sipas tij, zgjedhjet e reja në veri duhet të organizohen vetëm në përputhje me kuadrin ligjor dhe kushtetues të Kosovës. Ndër të tjera Konjufca deklaron se qëllimi kryesor i Serbisë është që përmes krijimit të një vakumi institucional në veri dhe trazirave, të vendose Kosovën para një fakti të kryer, që pastaj të kërkojë një zgjidhje politike për një formë autonomie territoriale.

Në anën tjetër, Konjufca kërkon lirimin pakushte të policëve të rrëmbyer nga forcat serbe brenda territorit të Kosovës. Madje, ai shton se në kthimin e tyre në shtëpi nuk duhet të ketë asnjë kushtëzim nga ana e Serbisë.

Krahas këtyre, Konjufca, kritikon kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi dhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku që nuk shkuan në takim të thirrur nga presidentja Vjosa Osmani.