MENU
klinika

Tensionet në veri

Lajçak në SHBA, takon dy zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë

21.06.2023 - 11:42

Emisari i posaçëm i BE-së Miroslav Lajçak ka njoftuar se është takuar me dy zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë, zëvendës këshilltarin për Siguri Kombëtare, Jon Finer dhe drejtoreshën e Lartë për Evropën, Amanda Sloat. Lajçak ka shkruar në Twitter se ata kanë biseduar për situatën në veri.

“Një takim shumë i dobishëm me zëvendës këshilltarin kryesor për Siguri Kombëtarë të SHBA-së, Jon Finer dhe Drejtoreshën e Lartë për Evropë, Amanda Slot, për situatën në Veri, hapat e nevojshëm për de-eskalim dhe rrugën përpara në dialogun e lehtësuar nga BE”, ka shkruar Lajçak.

Situata në komunat në veri të Kosovës vazhdon të jetë e tensionuar prej datës 26 maj, ku serbët prej ditësh vazhdojnë të kundërshtojnë kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri të hyjnë në ndërtesat komunale. Tensionet u përshkallëzuan në datën 29 maj, kur trupat e KFOR u përplasën fizikisht me protestuesit serbë. Situata u përkeqësua edhe më tej më 14 qershor pas arrestimit të tre policëve të Kosovës në veri të vendit nga Serbia. Efektivët kanë dalë para gjykatës serbe dhe janë lënë në paraburgim për 30 ditë. Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, pas arrestimit të tre policëve të njoftoi për një takim urgjent në Bruksel mes Albin Kurtit dhe Aleksandër Vuçiç, për zgjidhjen e krizës. Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka refuzuar të marrë pjesë në takimin e caktuar nga Borrell, ndërsa kryeministri i Kosovës është akoma i pavendosur. BE ka bërë thirrje që të dyja palët të marrin pjesë në takimin në Brukse ose do të përballen me pasoja.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Situata e tensionuar në veri të Kosovës

BE kërkon takim Kurti-Vuçiç në Bratisllavë