MENU
klinika

Pas apelit të fortë të ndërkombëtarëve

Lirohen tre policët e Kosovës, u rrëmbyen nga “Kobrat” serbe

26.06.2023 - 11:04

Tre policët e Kosovës që u rrëmbyen rreth dy javë më parë në Veri të vendit janë liruar nga autoritetet serbe. Mesditën e 14 Qershorit, të tre policët ishin duke patrulluar në zonën e tyre brenda kufirit të Kosovës, në vendin e quajtur Tresave/Bare.

Rifat Zeka, Beqir Sefi dhe Mustafë Shemi, janë lënë të lirë nga Gjykata e Kraljevës.

Përgjatë këtyre ditëve, ndërkombëtarët kanë apeluar fort që tre policët të liroheshin, si një kusht i Qeverisë së Kosovës për t’u rikthyer te dialogu me Serbinë. Po ashtu, rrëmbimi i tyre nga forcat speciale të ushtrisë serbe “Kobra”, ka qenë i paligjshëm dhe brenda kufirit të Kosovës.

Këtë për Gazetën Infokus e ka konfirmuar bashkëshortja e njërit prej policëve, Shemsi Mustafës, e cila ka thënë se janë njoftuar nga institucionet e Kosovës që tashmë është marrë vendimi për lirimin e tyre.

“Po na kanë njoftu që kanë me i liru, është marrë vendimi por ende nuk na kanë tregu konkretisht se kur i lirojnë. Këtë informacion nuk e kemi”, ka thënë shkurt Shpresa Mustafa. Megjithatë, ajo ka qenë tejet e gëzuar për këtë lajm të mirë.

Shefat e diplomacisë evropiane dhe ata të SHBA i kanë kërkuar prej ditësh Serbisë që të lirojë tre policët e Kosovës, të rrëmbyer brenda territorit të saj.

Në këtë nismë është angazhuar fort dhe kryeministri Edi Rama. Shefi i qeverisë shqiptare ka kërkuar nga pala serbe që t’i lirojë sa më parë tre shqiptarë e rrëmbyer në krye të detyrës. Madje, ai ka kushtëzuar dhe pjesëmarrjen në Ballkanin e Hapur nëse kjo nuk do të ndodhte.