Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka thënë se tre policët e Kosovës të rrëmbyer nga polica serbe më 14 qershor nuk do të shpëtojnë pa aktakuzë.
Madje ai pretendon se janë arrestuar në territorin e Serbisë dhe për këtë thotë se ka prova.
“Nuk besoj se është e mundur të ikësh pa një aktakuzë. Ajo që po u them njerëzve është se njësitet tona i arrestuan në territorin e Serbisë qendrore. Kemi të gjitha materialet që e vërtetojnë. Meqë ra fjala, ne ofruam që të gjithë anëtarët tanë nga ajo njësi t’i nënshtroheshin një ekzaminimi poligrafik”, tha ai.
Po ashtu Vuçiç ka paralajmëruar për sot një takim me serbët e Kosovës.
“Ne nuk do të lejojmë ‘pogromin e popullatës sonë’, por le të shmangim ndërhyrjen tonë sa të mundemi, sepse lufta nuk është zgjidhje”.
Kreu i shtetit serb ka potencuar se aktorët kryesor në Perëndim e dinë qartë se “fajin kryesor e ka Kosova”, por jo të gjithë do ta pranojnë.
“Duhet të bëhen bisedime që të mos kemi faj”, ka shtuar ai.