MENU
klinika

"xAI"

Elon Musk themelon një kompani të Inteligjencës Artificiale!

13.07.2023 - 11:43

Elon Musk themelon një kompani të re të Inteligjencës Artificiale (IA) të quajtur xAI. Musk synon të sfidojë duke ndërtuar një alternativë ndaj ChatGPT. Ai ka mbledhur një ekip inxhinierësh për të drejtuar projektin. Si CEO i Teslas, SpaceX-it e si pronar i Twitterit, vazhdimisht Musk shpreh shqetësime për rreziqet e mundshme të IA-së dhe nevojën për rregullim në këtë sektor.

Musk përshkroi planin e tij duke thënë se synon të krijojë një mekanizëm të Inteligjencës Artificiale më të sigurt. Në një mesazh në Twitter shkruan:

Njoftoj për themelimin e xAI për të kuptuar realitetin.

Sipas miliarderit, xAI do të fokusohet në zhvillimin e një platforme që ngjall shumë kureshtje dhe kërkon të kuptojë natyrën e vërtetë të universit. Musk beson se ky qëndrim rrit sigurinë e AI-së e siguron një perspektivë pro-njerëzimit.

Më 2015-ën, Elon Musk bashkëthemeloi OpenAI, kompania që qëndron pas ChatGPT, por u largua nga bordi i saj në vitin 2018. Microsoft është një investitor në OpenAI.

Ekipi në xAI përfshin Igor Babuschkin, një ish-inxhinier në DeepMind të Google-it; Tony Wu, i cili punonte në Google; Christian Szegedy, i cili gjithashtu ishte një shkencëtar kërkimor në Google dhe Greg Yang, ish-punonjës në Microsoft.

Në muajin mars, Musk regjistroi një firmë të quajtur X.AI Corp. Ajo liston Musk-un si drejtor të vetëm dhe Jared Birchall-in si sekretar.

Në muajin prill, miliarderi pati thënë se do të prezantonte TruthGPT ose një IA që përpiqet të kuptojë natyrën e universit e që kërkon të vërtetën maksimale, për të rivalizuar Bard-in e Google-it dhe Bing AI të Microsoft-it.

Dan Hendrycks, i cili do të këshillojë ekipin e xAI, aktualisht është drejtor i Qendrës për Sigurinë e Inteligjencës Artificiale dhe puna e tij sillet rreth rreziqeve të AI.

Edhe pse Musk regjistroi një kompani të quajtur X.AI Corp në mars, të ndarë nga X Corp, ajo do të bashkëpunojë ngushtë me Twitter-in, Teslën e kompani të tjera, sipas përshkrimit në faqen e internetit xAI.