MENU
klinika

Ylli Pata

Një vit pa Ilir Metën, apo një vit me gjeneral Bajramin!

21.07.2023 - 19:13

Në ato pak gjasje që po shënohen për një vjetorin e zgjedhjes së Bajram Begajt si president të Republikës, shtrohet më shumë ideja e një “qetësie”, pas frenezisë që ofroi Ilir Meta në 5 vjetëshin e tij si kryetar shteti.

Ku ende pa hyrën në zyrë ofroi “uraganin” e tij të inatit politik me Edi Ramën e mazhorancën. i cili e ktheu Presidencën në një podium politik të “popullit të 2 marsit” e përplasjes së fortë me SHBA, BE, e të gjithë partnerët Perëndimorë.

Tashmë është një panoramë e ditur, kronikë e pasqyruar, kohë kur polemika e debate pafund kanë tjerë panelet e tribunës.

Mazhoranca, përkatësisht PS bëri një zgjedhje të sajën, duke ofruar një President që nuk vinte nga një konsensus politik, por solli një njeri institucionesh në krye të shtetit.

Shefi i shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë, Gjeneral Bajram Begaj, u zgjodh kryetar i shtetit. Begaj, i cili është edhe mjek me profesion përveç spaletave të gjenrralit, vinte nga ushtria si një reprizë, pasi në krye të shtetit shqiptar ka qenë edhe një tjetër gjeneral; Alfred Moisiu. i zgjedhur në kushte të tjera e që pati një tjetër mjedis politik ku ushtroi funksionin e tij kushtetues.

Presidenti Moisiu, solli që në krye të herës kulturën ushtarake në krye të shtetit, kjo që në disiplinë e mënyrën e ecjes së eskortës presidenciale. Shto këtu edhe batutat e barsaletat e kohës, pasi në atë kohë nuk kishte meme në rrjete sociale.

Gjithsesi Alfred Moisiu mbahet mend për modelin e tij, ku u përplas me dy kryeministra: Fatos Nanon e Sali Berishën, për çështje të vizionit për shtetin.

A ka sjellë gjenerali Bajram Begaj, një model të tijin në një vit në krye të Presidencës? Një fakt është i pamohueshëm. Edhe pse i zgjedhur nga mazhoranca, Begaj nuk është sjellë si një president politik i PS-së. Siç ishte përshembull profesor Rexhep Meidani. Apo zoti president Bamir Topi, që vinte si figurë politike e PD-së dhe nuk i ndaloi si kontaktet, por edhe studimin e ndërveprimin me aktorë e faktorë politik.

Edhe ky model nuk ka asnjë të keqe. Presidenti nuk është një gjykatës apo prokuror, është një institucion i lartë i shtetit që mundohet të balancojë e të ekuilibrojë pushtetet. Por në radhë të parë, siç e ka neni kushtetues të përfaqësojë unitetin e të gjithë shqiptarëve.

Lajmi më i fortë që doli në vigjilje të njëvjetorit të presidentit Begaj, ishte mos marrja pjesë në ceremoninë për nder të Bill Clintonit para Kyreministrisë. Që ende edhe sot nuk dihet se si qëndron e vërteta pa makjazh.

Më shumë se përplasja me pushtetet e tjera, Presidenca është një institucion që mund të krijojë edhe një rol të rëndësishëm në shoqërinë e përçare shqiptare, duke u bërë edhe nismëtare e reformave të mëdha e të domosdoshme që kërkon vendi, që kreu i shtetit i drejton Parlamentit e forcave politike.

Presidenti duhet të jetë normal i larguar nga jeta politike e ditës, por jo inaktiv në zhvillimet politike. Madje ai ka mundësinë që të jetë një mediator, një dëgjues i palëve dhe projektues i një ideje të re të të bërit politikë në Shqipëri.

Sergio Matarella, presidenti italian, i cili vjen nga një përvojë e gjatë politike. Modeli i presidentit Italian është pak a shumë si ai i Shqipërisë, përveç disa kompetencave më shumë.

Matarella, nuk është shumë prezent politikisht, por është aktiv në shoqëri dhe në institucionet e rëndësishme të shtetit. Pak kohë më parë, presidenti Italian ishte në një zonë të Napolit, Casal di Principe, e cila ka qenë një nga territoret e Camorra-s. Së bashku me nxënësit e rininë, ai promovoi jetën e të rinjve jashtë krimit, jashtë infektimit nga jeta joshëse e të fortëve dhe bandave.

Këtë rol mund ta bëjë shumë mirë një President i Shqipërisë që vjen nga ushtria, duke takuar sa më shumë të rinj, e të japë mesazhin e largimit nga jeta e rrezikshme e braktisjes së vendit për të punuar nëpër shtëpi bari apo si ushtarë të organizatave kriminale.

Presidenti e ka detyrë Kushtetuese, të flasë për ngjarje të rënda siç ishte ajo e Rrajave në Fushë-Krujë, edhe duke takuar sa më shumë grupe e institucione atje. Presidenti mund të japë detyra edhe më të forta për policinë e natyrisht kryeministrin e qeverinë, duke u kthyer në një aktor politik i dorës së parë në vend. Sidomos kur mungon një zë i arsyeshëm në debatin e ditës. Të flasë për korrupsionin, të mbështesë fort prokurorët e gjyqtarët që luftojnë pandëshkueshmërinë.

pMë shumë se çeshtjet e përqafimet me ambasadorët e SHBA dhe Perëndimit, presidenti Begaj, mund të ishte së bashku me to, kur ata kanë një mesazh kundër pandëshkueshmërisë në këtë vend. Atëherë, përveç se do të krijonte një model, do të ndihej më shumë si një kryetar i shqiptarëve që duan dhënien fund të pandëshkueshmërisë.

Natyrisht ka edhe fusha të tjera ku kreu i shtetit mund të jetë aktiv, madje edhe proaktiv. Kështu do të mbahej mend zgjedhja dhe mandati i një presidenti, e jo thjesht pasuesi i Ilir Metës në zyrën më të rëndësishme të shtetit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN