MENU
klinika

Analiza

Takimi Putin-Prigozhin dhe pikëpyetjet e Moskës

11.07.2023 - 09:23

Vladimir Putin u takua me liderin mercenar të Wagner, Yevgeny Prigozhin, disa ditë pas kryengritjes së dështuar që ai e kishte denoncuar si tradhti, duke shtuar misterin, lidhur me ngjarjen e paprecedentë që kërcënoi sundimin gati çerek shekullor të presidentit rus.

“Putin zhvilloi bisedime me Prigozhin dhe komandantët e lartë të Wagner në Kremlin për gati tre orë më 29 qershor”, tha të hënën zëdhënësi i presidentit, Dmitry Peskov, sipas shërbimeve ruse të lajmeve.

Megjithatë, ngjarja ka ngritur pikëpyetje të shumta.

Sipas një vlerësimi të ri nga Instituti për Studimin e Luftës (ISW), marrëveshjet midis Putinit dhe Prigozhin, sigurisht që vazhdojnë, të pandërprera, siç duket edhe nga takimi i fundit. Lajmi ngre pyetje në lidhje me vetë kryengritjen dhe marrëdhëniet e Prigozhin me Putinin.

Ditë përpara takimit të tyre të raportuar, në një fjalim video drejtuar kombit, presidenti rus e përshkroi përpjekjen për kryengritje të Prigozhin si “tradhti” dhe kërcënoi se kushdo që kishte marrë armët kundër ushtrisë ruse do të ndëshkohej, por asgjë s’ka ndodhur.

Ekspertja politikeTatiana Stanovaya tha për “Newsweek” se dyshja u takuan për të sqaruar detajet e marrëveshjes së ndërmjetësuar nga Lukashenko dhe se grupi do të vazhdojë stërvitjet në Bjellorusi dhe po ashtu edhe planet e fshehta me Putinin.

Sakaq ka edhe teori se kreu i Wagner mund të ngarkohet të përdorë mercenarët e tij për të vrarë liderin ukrainas Volodymyr Zelensky, për të “sjellë kokën e tij” në Kremlin, siç ka aluduar gazetari rus Muratov, drejtor i agjencisë investigative të lajmeve “Novaya Gazeta”.

Sipas tij, kështu Prigozhin do t’i kërkonte falje presidentit rus.