MENU
klinika

U arrestua pas 10 vitesh arrati në Laç

6 ton kokainë nga Holanda në Milano, kush është Edmond Dodaj, ish-anëtar i Forcave Speciale!

26.08.2023 - 18:20

Edmond Doda, i arrestuar dy ditë më parë në Laç, më (24 gusht), i shpallur në kërkim nga autoritete italiane pasi akuzohet se është pjesëmarrës në një organizatë kriminale të përbërë nga të tjerë shqiptarë, kishte importuar nga Holanda në Milano 6 ton kokaine.

Importin e kokainës nga Holanda, Dodaj e kishte bërë nëpërmjet bandës së tij nga portit i Roterdamit, ku sipas analizës së medias italiane Corriere Della Sera, kriminelët shqiptare mund edhe të kenë korruptuar punëtorët, që të shmangin kontrollet mbi kontejnerët nga Amerika e Jugut.

Edmond Dodaj ka punuar për Forcat Speciale në Shqipëri, kohën kur ministër i Brendshëm ishte Saimir Tahiri. Dodaj i ri në moshë, por i përket “shkollës së vjetër” të bandave shqiptare, që prej kohësh janë ngjitur në pozicione duke u shndërruar nga “të pakualifikuar”, në ndërmjetës të privilegjuar, si nga organizata mafioze “Ndrangheta”, ashtu edhe nga Amerika e Jugut.

42 vjeçari, i cili prej 10 vitesh ishte në kërkim, u arrestua në qytetin e Laçit me qëllim ekstradimin drejt Italisë pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma. Ndaj tij gjykata e Milanos kishte lëshuar urdhër-arresti ndërkombëtar, për veprën penale “Grup kriminal në fushën e trafikimit të narkotikëve”, parashikuar nga Kodi Penal italian.

Mediat vendase, janë të interesuar, se a do të flasë ndonjëherë Dodaj kur të gjykohet në Itali? A do të bashkëpunojë ai për të zbuluar rrjetin e bashkëpunëtorëve, të kundërshtarëve për t’i varrosur, apo të mbrojtësve që sipas Corriere, mund të jenë zyrtarë të lartë ose politikanë.