MENU
klinika

Vepra të paekspozuara më parë

Ekspozita “Lumturi Blloshmi. Nga e Para” vjen në Kosovë

23.08.2023 - 16:00

Ekspozita “Lumturi Blloshmi. Nga e Para”  me vepra të paekspozuara më parë do të hapet muajin që vjen në Galerinë Kombëtare të Kosovës. Ekspozita vjen e kuruar nga Adela Demetja dhe do të hapet për publikun më 1 shtator. “Lumturi Blloshmi. Nga e Para” është ekspozita e parë retrospektivë e artistes Lumturi Blloshmi (1944-2020) në Kosovë dhe gjithashtu ekspozita pasuese e prezantimit të saj të suksesshëm në Bienalen e 59-të Venecias si pjesë e pavionit shqiptar në 2022.  Galeria Kombëtare e Kosovës është institucioni i parë që e mirëpret këtë ekspozitë retrospektive, akoma më të zgjeruar dhe detajuar të veprave të një ndër artisteve më të rëndësishme shqiptare, duke i prezantuar publikut një pjesë domethënëse të krijimtarisë së saj më shumë se gjysëm-shekullore. Kuratorja Adela Demetja shprehet se ekspozita synon të prezantojë dhe ri-pozicionojë veprën dhe jetën e Lumturi Blloshmit në kontekstin e historisë së artit kombëtar dhe ndërkombëtar. “Ekspozita përbëhet nga një përzgjedhje e veprave të Blloshmit nga vitet ’60-të deri në vitet 2000, dhe përfshin autoportrete, peizazhe, portrete, kompozime në pikturë, fotografi e instalacione që flasin për thelbin estetik dhe realitetin personal të Blloshmit, po aq sa flasin dhe për kontekstin specifik politik dhe social në të cilin u krijuan”, shprehet në tekstin kuratorial Adela Demetja.

 Qëllimi i ekspozitës

Galeria Kombëtare e Kosovës e nis aktivitetin artistik muajin që vjen me ekspozitën  “Lumturi Blloshmi. Nga e Para”, por sipas kuratores Adela Demetja ka për qëllim të sjellë pranë publikut veprimtarinë shumë-përmasore të Blloshmit. “Duke prezantuar vepra të paekspozuara më parë, ekspozita ka për qëllim të sjellë pranë publikut veprimtarinë shumë-përmasore dhe metamorfozën individuale të Blloshmit”, vijon ajo në tekstin kuratorial. Paraqitja e ekspozitës gjurmon trajektoren e saj artistike në rend kronologjik, duke nxjerrë në pah temat kryesore: kontekstin individual përmes përvojave personale të Blloshmit që janë bërë frymëzimi kryesor për autoportretet e shumta; kontekstin shqiptar të cilin ajo e analizoi, komentoi dhe e përcolli sistematikisht qoftë përmes peizazheve të viteve 1980, eksodit të viteve 1990 apo tranzicionit politik të viteve 2000; dhe në fund konteksti universal si një interesim për aspektet filozofike dhe shpirtërore të cilat i trajtojnë veprat e viteve të fundit. “Kontekstet që ushqyen praktikën e saj artistike zbulojnë gjithashtu se si Blloshmi nëpërmjet imagjinatës dhe eksperimentimit, rikrijon në vazhdimësi figurën në mediume të ndryshme për të sjellë atë që ajo e quan “një univers të veçantë e të prekshëm””, shprehet Adela Demetja në tekstin kuratorial. Për ekspozitën janë angazhuar dhe të tjerë si regjisor Tin Dirdamal, artisti i mediave interaktive Alexander Walmsley, arkitekte e ekspozitës Dea Buza / Apparatstudio, dizajni Joreld Dhamo / Parallel Studio. Ekspozita është realizuar me mbështetje nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Kosovë. Lumturi Blloshmi u lind më 1944 në Tiranë. U diplomua për pikturë në Institutin e Lartë të Arteve, sot (AAB). Ka ekspozuar rregullisht para viteve ’90 dhe me të njëjtin ritëm ka ekspozuar dhe pas tyre, por me të vetmin dallim, që lidhet me realizimin e një numri në rritje të ekspozitave vetjake, si brenda dhe jashtë vendit. U nda nga jeta më 27 nëntor 2020