MENU
klinika

Kryevepra e George Orwell

“Ferma e kafshëve”, në amfiteatrin e Durrësit

27.08.2023 - 11:30

“Ferma e kafshëve” kryevepra e George Orwell këtë mbrëmje shfaqet në amfiteatrin e Durrësit. Teatri Kombëtar çon këtë të shtunë një produksion të tij në Durrës, ku hyrja do të jetë e lirë për publikun. Vepra me regji nga Driada Dervishi është me pjesëmarrjen e veçantë të Bojken Lakos, ku interpretojnë Neritan Liçaj, Hervin Çuli, Erjona Kakeli, Florian Agalliu, Anila Bisha, Donald Shehu, Niada Saliasi, Dori Çaushi, Xhuliano Brisku dhe Urim Aliaj. Një Revolucion ndodh në Fermën Menër. Kafshët ngrihen kundër njeriut pronar dhe marrin kontrollin e fermës. Por dikush duhet ta zërë vendin e drejtuesit të fermës, e të gjithë bien dakord se duhet ta marrin kafshët më të zgjuara të fermës: Derrat. Napoleoni është derri që bëhet udhëheqësi kryesor i fermës, fillimisht me tone entuziaste vëllazërie e barazie, ai i bind se është e afërt rruga drejt të ardhmes së lirë, ku do të punojnë të gjithë vetëm për vete, larg babëzisë së njeriut. Nuk kalon shumë dhe parimet e premtuara kthehen në vargonj që i lidhin kafshët edhe një herë…Vepra është përkthyer nga Sokol Çunga, muzika & efektet Bojken & Mia Lako, skenograf Ergys Krisiko, kostumograf Berina Kokona, koreograf Robert Nuha. Komedia satirike në fillim si premierë u shfaq në amfiteatrin e Tiranës që u mbush plot me publik, por nuk mungoi dhe në festivale teatri, duke u vlerësuar me çmime. Alegoria therëse e George Orwell e shkruar në vitin 1945, mbetet një nga veprat më të forta të anës të errët të historisë të shek. XX-të. Edhe pse “Ferma e kafshëve” simbolizoi Rusinë dhe Bashkimin Sovjetik nën drejtimin e Partisë Komuniste, ajo përfaqëson çdo shoqëri njerëzore, qoftë ajo kapitaliste, socialiste, fashiste, apo komuniste, dhe mbetet prej më shumë se shtatëdhjetë vitesh një satirë e idealizimit të barazisë që korruptohet nga pushteti.