MENU
klinika

Rrezikohet fshati Starovë dhe Ramanic

Flakët në Shpirag/ Vështirësi në shuarjen e zjarreve

25.08.2023 - 15:23

Vatra e zjarrit në malin e Shpiragut në Berat ka përhapur flakë jashtë kontrollit.

Dhjetëra forca të ushtrisë me mjete dhe mbështetjen e një helikopteri Cougar nga ajri po luftojnë me flakët në kushte ekstreme. Era e fuqishme dhe terreni i thepisur e bëjnë të vështirë fikjen e zjarrit që mbrëmë mori përmasa të mëdha në malin Shpirag dhe këtë të premte u shtynë drejt fshatit Starovë dhe po përhapet dhe në afërsi të fshatit Ramanic.

Banorët e fshatit së bashku me ushtarët e repartit janë duke luftuar me flakët të cilat janë shumë të mëdha. Ka dhe nga ata banorë të cilët janë të frikësuar pasi era po ja u çon flakët në afërsi të banesave.

“150 metra është flaka. Për një gjysëm ore mund të vijë poshtë”, tha një banor.

“Kemi dalë në dritare pamë zjarr, u habitëm. Rrezikohen banesat ullinjtë, të gjitha“, tha një tjetër banore.

” Do i’ia arrijmë, do ta mundim edhe këtë zjarr. Forcat dhe kolegët po luftojnë edhe në Greqi”, tha Haki Çako, shef i emergjencave civile.

“Situata siç e shikojmë edhe vetë është vështirësuar. Temperaturat janë shumë të larta. Terreni është shumë i thatë, që favorizon flakët e zjarrit”, tha Valbona Zylyftari, prefekte e qarkut Berat.

Ministria e Mbrojtjes bën me dije se operacioni i Forcave të Armatosura do të vazhdojë me intensitet për të eliminuar plotësisht çdo vatër duke bërë të pamundurën për të ruajtur pasurinë kombëtare.