MENU
klinika

"bordet të jenë me njerëz profesionistë"

Ilirian Ali: Teatri duhet të ketë më shumë organizim

24.08.2023 - 16:05

Sezoni artistik që pritet të nisë do të sjellë dhe shfaqjet e para në skena, por për artistë të ndryshëm duhet bërë më shumë për aktivitetin e teatrove në rrethe. Aktori i njohur Ilirian Ali tregon se jeta artistike në rrethe kërkon një organizim më të mirë të institucioneve teatrore. Sezoni i ri artistik pritet të nisë pas disa ditësh, por aktori Ali thotë se teatri duhet të ketë plane për aktivitetin artistik. “Teatri duhet të këtë një plan afatshkurtër, afatmesëm apo afatgjatë për të planifikuar premierat, kush do punojë, cili regjisor, kush do të vijë, çfarë repertori ka rezervuar teatri apo bordi i teatrit? Këto gjëra duhen që të kenë një planifikim të caktuar për sezonin artistik që nis për muajt e ardhshëm, por kjo ka vite që ka çaluar. Por si problematikë në jetën artistike janë të rëndësishme dhe duhen programuar. Mbase kjo te teatri jonë, sepse institucionet e tjerë mund ta kenë”, thotë aktori Ilirian Ali, që prej vitesh ka zhvilluar aktivitetin e tij në teatrin e Vlorës, por nuk ka munguar me rolet e tij në shfaqjet që janë dhënë dhe në skena të tjera teatrore të vend. Për aktorin jeta artistike teatrore në rrethe duhet të ketë më gjallëri. “Unë dua të shikoj që të ketë gjallëri teatri në vend. Planet duhen hartuar, që teatri të jetë në efiçensë, të paktën 3-4 shfaqje në muaj, përveç premierës. Duhet të ketë aktivitet të përhershëm teatri, por e shikoj të varfër. Nuk është teatri, sepse vjen dikush nga Tirana që gjen mundësi financimi dhe vë një shfaqje në një teatër rrethi. Në bordin e teatrit të jenë njerëz profesionistë. Teatri duhet të gjenerojë ide, mendim, të ketë mundësi të ecë me hapin e kohës. Për mua duhet patjetër që të lëvizë, të punojë, të ketë një mundësi vlerësimi, organizimi dhe angazhimi të trupave ose të forcave të teatrit”, shprehet aktori Ilirian Ali.

Rëndësia e teatrit

Aktori Ilirian Ali është një nga emrat e njohur të teatrit, ku jeta e tij artistike ka nisur që në vitin 1978 në Vlorë në fillim me trupën e estradës dhe më pas me teatrin. Aktori thotë se është koha që trupa e një teatri të ketë mundësitë, që të aktivizohet me shfaqje në gjithë qarkun. “Unë shikoj që aktivitete ka teatri i Durrësit dhe gjatë verës. Por trupat e tjera profesioniste kanë ngelur. Përshembull trupa e teatrit të Vlorës mund të aktivizohet për të gjithë qarkun e Vlorës, pasi çdo teatër në vend ka qarkun e vet, ndaj duhet një plan i detajuar nga bordi teatrit”, thotë aktori. Përballë problemeve që janë sot në jetën artistike në vend, aktori Ilirian Ali thotë më tej se për teatrot në rrethe duhet edhe një bashkëpunim mes Ministrisë së Kulturës dhe bashkive përkatëse. Sipas tij kjo do ndihmonte teatrot në rrethe. “Për teatrot në rrethe mirë do të ishte të kishte një koordinim mes Ministrisë së Kulturës dhe qeverisë, sepse puna nga bashkia varet nga këndvështrimi apo dëshira mendon apo jo për teatrin. E shikon teatrin si një element që është në funksion të zhvillimit, kulturës, qytetërimit apo nuk e shikon”, shprehet aktori. Ilirian Ali është një nga emrat e njohur të teatrit, ku për dekada ka qenë me role të ndryshme në drama dhe komedi.