MENU
klinika

Shifrat

Janar -korrik, në parqet arkeologjike 173 560 vizitorë

24.08.2023 - 16:08

Parqet arkeologjike në vendin tonë këtë vit nga muaji janar deri në korrik patën më shumë se 170 mijë vizitorë. Të dhënat janë publikuar nga ministrja e Kulturës Elva Margariti, që shprehet se ndërthurja e natyrës me trashëgiminë tonë kulturore i bën parqet arkeologjike në vendin tonë hapësira fantastike për t’u vizituar. “Parqet arkeologjike janë hapësira fantastike, ku natyra e bukur shqiptare ndërthuret me trashëgiminë kulturore. Shifrat tregojnë se nga viti në vit vizitorët, shqiptarë e të huaj po e kuptojnë magjinë që përcjellin hapësira të tilla”, shprehet ministrja e Kulturës në rrjete sociale. Sipas tabelës më të dhënat e publikuar nga ministrja Margariti për numrin e vizitorëve të parqeve arkeologjike në vendin tonë, në vitin 2020 nga janari deri në muajin korrik janë 29055 vizitorë, një vit më pas në 2021po gjatë këtyre muajve numri i vizitorëve arrin në 60356, për të vijuar në vitin 2022 me 117635, si dhe nga janari e deri në korrik të këtij viti numërohen 173560 vizitorë vendas e të huaj. “Krahasuar me një vit më parë numri i vizitorëve është rritur dukshëm”, shprehet ministrja e Kulturës Margariti.

Parqet arkeologjike

Në vendin tonë janë disa parqe arkeologjike, që vazhdojnë të ngjallin mjaft interes për vizitorët. Ndër parqet arkeologjike, parku kombëtar i Butrintit është një nga zonat më të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore, arkeologjike, mjedisore dhe turistike të vendit. Zemra e parkut kombëtar është qyteti antik i Butrintit, ekzistenca e të cilit vazhdoi pa ndërprerje, që prej periudhës së prehistorisë e deri në mesjetë, duke ofruar kështu një shumëllojshmëri kulturash dhe periudhash historike. Në saj të vlerave të larta historiko-kulturore qyteti antik i Butrintit u përzgjodh fillimisht si Monument Kulture në vitin 1948, në ligjin e monumenteve të Kulturës së Shqipërisë. Në vitin 1992 Butrinti u pranua si vendbanimi i parë arkeologjik i Republikës së Shqipërisë në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Parku kombëtar arkeologjik i Apolonisë është gjithashtu një nga destinacionet më të rëndësishme turistike të qarkut të Fierit e më gjerë, i cili këtë sezon turistik po tërheq një numër të konsiderueshëm vizitorësh vendas e turistë të huaj. Me interes për vizitorin në Apoloni janë monumenti i Agonotetëve, Odeoni, Biblioteka, muri rrethues, Portiku, vila me impluvium, vila romake me mozaikë, muzeu arkeologjik, Kisha e Shën Mërisë etj. Parku arkeologjik Bylis është një nga sitet unik në vendin tonë, për densitetin e lartë të monumenteve me mozaik. Teatri është monumenti më i rëndësishëm i Bylisit të periudhës antike. Mes parqeve arkeologjike përmendim dhe parkun e Amantias, që është kthyer në një nga destinacionet kryesore turistike për qarkun e Vlorës.