MENU
klinika

Gjithçka mund të përmbyset brenda gushtit

Ofensiva e Ukrainës po dështon, Biden nxjerr “asat nën mëngë”

11.08.2023 - 08:30

Situata në Ukrainë, ndonëse 1 vit e gjysmë pas fillimit të konfliktit, është gjithnjë e më dramatike dhe e paqëndrueshme. Në këto kushte, Uashingtoni po nxjerr çdo “as nën mëngë”, të disponueshëm për të përforcuar mbështetjen për Ukrainën në një fazë në të cilën Shtetet e Bashkuara kanë filluar të dyshojnë për suksesin e kundësulmit ukrainas ndaj pushtuesve rusë dhe teknikat e përdorura nga ushtria e Kievit. Ndaj, Pentagoni po përshpejton mbështetjen për Ukrainën, duke i plotësuar kërkesat e saj kryesore dh të vazhdueshme: tanket Abrams dhe avionët luftarakë F- 16. Ka shumë ekspertë që nuk besojnë se do të mund të thyejnë mbrojtjen e konsoliduar ruse në territoret e pushtuara, por pa këto armë, duket se SHBA është e sigurt se Kievi ka pak ose aspak shanse për sukses. Sakaq, jo pa arsye, Moska konsideron se këto lëvizje kanë shkelur “vijat e kuqe” të tyre, duke rrezikuar shpërthimin e një konflikti bërthamor.

“Asi nën mëngë”

Së fundmi, në një konferencë shtypi, Sabrina Singh, Zëvendës Sekretarja e Shtypit e Pentagonit, konfirmoi se presidenti i SHBA, Joe Biden ka miratuar trajnimin e pilotëve ukrainas për avionët luftarakë F-16 të prodhimit amerikan. Sipas Singh, “Danimarka dhe Holanda po marrin drejtimin në trajnime”, ndërsa SHBA do të ofrojnë mbështetje për të ecur përpara. Një raport nga “Politico” më 4 gusht 2023, duke cituar burime anonime amerikane, zbuloi se grupi i parë i pilotëve ukrainas për trajnimin e F-16 ishte formuar. “Tetë pilotë ukrainas që flasin rrjedhshëm gjuhën angleze janë gati të fillojnë stërvitjen sapo të hartohet një plan formal trajnimi nga një pjesë e aleatëve evropianë dhe të miratohet nga Shtetet e Bashkuara”, shkroi “Politico”. Për më tepër, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy konfirmoi në një postim në Facebook më 2 gusht, se “trajnimi F-16 i pilotëve tanë do të fillojë këtë muaj”. “Furnizimi dhe përdorimi luftarak i F-16 nga pilotët tanë duhet të bëhet sa më shpejt të jetë e mundur”, shtoi ai.

Avionët F-16

F-16 Fighting Falcon është një aeroplan luftarak me shumë role i zhvilluar për Forcat Ajrore të Shteteve të Bashkuara. Ka një top të brendshëm M61 Vulcan dhe 11 vende për montimin e armëve dhe pajisjeve të tjera. Ngarkohet zakonisht me dy bomba prej 907 kg, dy raketa ajër-ajër me rreze të shkurtër AIM-9 Sidewinder, dy raketa ajër-ajër me rreze të mesme veprimi AIM-120 dhe ka dy rezervuare karburante prej 1088 litrash. Aeroplani mund të udhëtojë me shpejtësi 2400 km/h dhe ka një rreze prej më shumë se 622 km. Ai peshon 8935 kg pa karburant dhe ka një peshë maksimale prej 17010 kg. Gjatë Luftës së Gjirit në 1991, F-16 u shfrytëzuan për të sulmuar fushat ajrore, objektet e prodhimit ushtarak, vendet e raketave Scud dhe objektiva të tjera. Ato u përdorën gjithashtu në bombardimet e NATO-s në ish-Jugosllavi në vitin 1999, si dhe në Irak dhe Afganistan. Ato operohen nga disa vende të tjera veç SHBA, si Polonia, Belgjika, Holanda dhe Danimarka.

Kërcënimet e Moskës

Sakaq, Ukraina ka nevojë për këta avionë pasi flota ajrore e saj përbëhet nga avionë sovjetikë të projektuar në vitet 1970, si Mikoyan MiG-29. Rusia, nga ana tjetër, përdor aeroplanë më modernë që mund të fluturojnë në lartësi më të mëdha dhe të zbulojnë avionë të tjerë nga më larg. Kjo i bën avionët ukrainas të prekshëm nga raketat ruse të mbrojtjes ajrore, veçanërisht në lartësi të mëdha. Avionët ukrainas janë gjithashtu më të vështirë për t’u manovruar dhe më të ngadaltë se avionët rusë. Sigurisht, avionët në fjalë janë të aftë për të mbajtur armë bërthamore. Arsyeja për të cilën dërgimi i tyre në forcat e armatosura të Ukrainës nga Moska konsiderohet si kërcënim atomik. “Kërcënimet nga vendet perëndimore në kufijtë e Rusisë kërkojnë një përgjigje të shpejtë dhe adekuate”, tha ministri rus i Mbrojtjes. Gjatë një takimi me zyrtarë të lartë ushtarakë, Sergei Shoigu tha: “Do të diskutojmë masat e nevojshme për t’i neutralizuar dhe do të marrim vendimet e duhura”. Megjithatë, SHBA është optimiste se dërgesat perëndimore të armëve mund të prishin ekuilibrin e konfliktit, duke e kthyer në favor të Ukrainës.