MENU
klinika

Qendra Muzeore Berat

Muzeu “Onufri” pret që nga viti 1986 vizitorë nga e gjithë bota

24.08.2023 - 16:07

Muzeu i ikonografisë “Onufri” në Berat është një ndër vendet më të vizituara. Muzeu i ikonografisë është organizuar në ambientet e kishës “Fjetja e Shën Marisë”, në kalanë e Beratit, prej 27 shkurtit të vitit 1986. Qendra Kombëtare e Muzeumeve Berat shprehet se që prej vitit 1986 muzeu “Onufri” pret vizitorët që vijnë edhe shtetet e tjera. “Si një gur i çmuar kurore në thesaret e trashëgimisë kulturore të Beratit e gjithë Shqipërisë, muzeu i ikonografisë “Onufri” pret që nga viti 1986 vizitorë nga trojet tona e çdo cep i botës. Jeni përherë të mirëpritur”, thuhet nga QKMB, që ka ndarë dhe një video me muzeun. Katedralja sipas mbishkrimeve që mbart rezulton të jetë rindërtuar në vitin 1797 mbi themelet e një kishe më të vjetër të periudhës bizantine. Ajo përfaqëson një nga arkitekturat më tipike pas-bizantine në qytetin e Beratit. muzeu “Onufri”. Sipas materialit në faqen e QKMB, koleksioni i muzeut përbëhet nga 200 objekte të përzgjedhura nga fondet e kishave dhe manastireve të rrethit të Beratit. Ai përbëhet kryesisht nga ikona dhe një grup objektesh liturgjike. Veprat e këtij muzeu datojnë nga më të vjetrat të shekullit XIV deri në fillim të shekullit XX. Ikonat janë realizuar nga piktorët ikonografë si: Onufri, Nikolla i biri i Onufrit, Onufër Qiprioti, David Selenica, Kostandin Shpataraku, Adam Kristo si dhe piktorët me mbiemer Çetiri (Gjergji, Joani, Nikolla, Naumi, Gjergji i riu dhe Ndini), si dhe nga shumë piktorë të tjerë anonimë. Kurse objektet liturgjike, kryesisht, mbajnë firmën e argjendarëve shqiptarë ndër shekuj. Gdhendjet në dru të katedrales janë realizuar nga mjeshtrit Stefan Barka nga Misrasi i Oparit dhe mjeshtër Naum Ngjela nga Lavdari i Oparit në fillimin e shekullit të XIX. Ikonostasi i katedrales Fjetja e Shën Mërisë mban si datë vitin1807. Ajo konsiderohet si një ndër veprat më të mira të krijuara nga mjeshtrit shqiptarë të drugdhendjes.