Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri David J. Kostelancik, pritej që të mbërrinte gjatë gushtit, ose në fillim të shtatorit. Por pasuesi i Yuri Kim duket se do të vonojë. Kjo për shkak se senati amerikan nuk e ka votuar ende atë dhe grupin e ambasadorëve amerikanë në disa vende të botës, pasi ka nisur pushimet.
Ky votim ishte hapi i fundit para se Kostelancik të mbërrijë në Shqipëri, votim që pritet të bëhet në rastin më të mirë në shtator kur edhe të rinisë punë senati. Nëse kjo nuk do të ndodhë edhe atëherë, pasi aslush nuk mund të parashikojë Senatin, mbërritja ka gjasë të shtyhet përtej vjeshtës.
Ndërkohë në Tiranë përfundoi misionin zv/ambasadori amerikan Demian Smith, i cili do të zëvendësohet këtë muaj nga Martin McDowell. McDowell vjen nga zyra e DASH për Çështjet e Europës Jugore-Qendrore dhe do të qendrojë deri në mes të këtij muaji.
Përparësitë e Kostelancik si ambasador i ardhshëm i SHBA në Shqipëri
I emëruar nga Presidenti Biden për të shërbyer si Ambasador i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Kostelancik parashtroi në fund të marsit para Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë në Senatin e Shteteve të Bashkuara, gjatë seancës së konfirmimit, përparësitë e tij si ambasador: Nëse konfirmohem në këtë detyrë do të bashkëpunoj me Shqipërinë për të forcuar institucionet demokratike dhe institucionet e drejtësisë. Presidenti Joe Biden e ka përcaktuar luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar si pjesë të strategjisë sonë kombëtare. Kjo është një sfidë kryesore për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Përparimi i reformës në drejtësi do të ndihmojë përparimin e Shqipërisë drejt integrimit europian Një nga sektorët e bashkëpunimit të ngushtë mes dy vendeve, tha ambasadori i emëruar, do të jetë forcimi i mëtejshëm i partneritetit në mbrojtje. Sulmi kibernetik i Iranit ndaj Shqipërisë në vitin 2022, tha ai, tregoi nevojën për të për të investuar në infrastrukturë dhe trajnime për të ndërtuar një sistem kibernetik të qendrueshem. Shtetet e Bashkuara, tha ai, kanë dërguar ekspertë në Shqipëri për të riparuar dëmet e bëra dhe kanë ofruar 50 milionë dollarë për këtë qëllim.
Një përparësi e tretë, theksoi ai, do të jetë forcimi i klimës së biznesit. Interesat e Shteteve të Bashkuara, tha ambasadori i pritshëm, shërbehen përmes një tregu transparent Shqipëri. Zoti Kostelancik ka shërbyer në Shqipëri edhe më përpara në periudhën 1992-1994, si përfaqësuesi i parë për çështjet politike dhe ekonomike në ambasadën e porsahapur amerikane në Tiranë. Para emërimit si ambasador, i shërbente si Këshilltar për Politikën e Jashtme i Shefit të Shtatmadhorisë amerikane, Gjeneralit Mark Milley.
Zoti Kostelancik është një diplomat me një karrierë 30-vjeçare. Ai ka shërbyer dy herë në Ambasadën amerikane në Moskë, në misionet e SHBA-së në OSBE dhe NATO, si edhe në Ankara të Turqisë. Diplomati Kostelancik, me origjinë nga shteti i Ilinoit, është diplomuar në Universitetin Northwestern të këtij shteti. Ai flet rusisht, hungarisht, shqip dhe turqisht.
Marrë nga Gazeta Si