MENU
klinika

Rreziku nga terrorizmi

Pse toleranca i bën më të brishta kombet?

20.08.2023 - 14:08

Ajo që po përjeton këtë verë Suedia, pas një sërë protestash të ashpra kundër djegies së Kuranit, është makthi për çdo demokraci liberale. Individët e drejtuar nga ideologjia dhe regjimet e huaja, po e shfrytëzojnë tolerancën shoqërore të Suedisë kundër vetes së saj.

Kombet e tjera që kërkojnë të mësojnë nga kjo fatkeqësi, do të bënin mirë të nisnin të lexonin filozofinë e Karl Poper. Një shoqëri që beson aq shumë te toleranca, saqë nuk është e gatshme të mbrojë tolerancën kundër sulmit të intolerantëve, rrezikon të shkatërrojë vetë tolerancën, argumentoi Poper në librin e tij “The Open Society and its Enemies” (Shoqëria e Hapur dhe armiqtë e saj).

Kur filozofi i lindur në Austri, shkroi traktatin e tij më të famshëm gjatë Luftës së Dytë Botërore, ai nuk mund ta dinte shkallën e intolerancës që do të godiste disa dekada më vonë vendet perëndimore.

Sigurisht, ai nuk mund ta parashikonte betejën që po zhvillohet aktualisht midis një aleance simbiotike të disa djegësve të Kuranit që kërkojnë vëmendje në Skandinavi, dhe një grupi regjimesh dhe individësh që po kërkojnë me ngulm një luftë midis Perëndimit nga njëra anë dhe Suedisë tolerante nga ana tjetër.

Në fund të muajit të kaluar, Organizata e Bashkëpunimit Islamik (IOC) u mblodh, me urdhër të Iranit, Irakut dhe Arabisë Saudite, për të dënuar 3 djegiet e fundit të Kuranit në Suedi dhe Danimarkë.

“IOC shpreh keqardhjen për përsëritjen e akteve të përdhosjes së Al-Mus’haf esh-Sharif (Kuranit), dhe shpreh gjithashtu keqardhje të thellë për lëshimin e vazhdueshëm nga autoritetet të një leje që e lejon kryerjen e një veprimi të tillë”- thuhet në komunikatën përfundimtare të liderëve.

Por ata harruan që të përmendin faktin se Saluan Momika, i cili shkaktoi zemërimin antisuedez të kësaj vere duke djegur një Kuran në Stokholm më 28 qershor, është një refugjat irakian në Suedi. Momika ka udhëhequr më herët në Irak një milici të lidhur me Iranin.

West issues travel advisories to Sweden as Quran burnings spark fear of  terror attack

Në fakt, individët e motivuar dhe shtetet e Lindjes së Mesme dukeshin gati që ta sulmuar Suedinë në momentin që Momika dogji Kuranin e tij. “Vëllimi i dezinformatave kundër Suedisë u përshkallëzua shumë pas atij incidenti”- thotë Markus Berg, nënkryetari i operacioneve në Agjencinë e Mbrojtjes Psikologjike të Suedisë (MPF), që monitoron fluksin e dezinformatave që vijnë nga jashtë.

“Aktorët e lidhur me qeverinë në vendet myslimane, nisën të komunikojnë shumë shpejt për këtë çështje, dhe po ashtu edhe mediat ruse”- shton ai. – Mesazhi i tyre kryesor – sipas të cilit ishte qeveria suedeze, ajo që e miratoi djegien e Kuranit – ishte thjesht i pasaktë.

Sepse lejet e protestave në Suedi nuk lëshohen nga qeveria, por nga autoritetet lokale të policisë, të cilat nuk mund të refuzojnë një aplikim për protestë vetëm për shkaqe ideologjike.

Por ata që synonin të nxisnin zemërimin antisuedez, nuk ishin aspak të shqetësuar për saktësinë e informacionit. Sipas MPF, menjëherë pas incidentit, vëllimi i informacionit të rremë në gjuhën ruse për Suedinë u rrit me disa herë, ashtu si ndodhi edhe me informacionet në gjuhën arabe mbi këto ngjarje.

Sweden: The Quran burning incident is hate speech, not free speech - Bridge  Initiative

Ndërkohë përdoruesit e zakonshëm të mediave sociale, e përforcuan informacionin pa e kontrolluar saktësinë e tij. Në Irak, qytetarët u tërbuan aq shumë, sa sulmuan deri edhe diplomatët suedezë. Dhe është harruar imazhi i Suedisë, vendit që ka mirëpritur dhjetëra mijëra refugjatë myslimanë gjatë 2 dekadave të fundit.

Fushata synonte që gjithçka të dukej si një shprehje e zemërimit popullor. Në fakt gjithçka ishte i koordinuar nga grupe dhe individë që përpiqeshin të shkatërronin një komb liberal. Udhëheqësit e Suedisë, ashtu si ata në shumë vende demokratike perëndimore, besojnë se toleranca gjeneron më shumë tolerancë.

Por siç e përshkroi Poper në librin e tij, një hapje e tillë i bën këto vende të prekshme ndaj sulmeve nga intolerantët. Ndërsa Inteligjenca Artficiale gjeneruese po përparon si teknologji, do të bëhet edhe më e lehtë përhapja e gënjeshtrave me synime dashakeqe.

Monitorimi i dezinformatave që vijnë nga vendet e huaja, siç po bën sot Suedia, është shumë i rëndësishëm. Por vetëm monitorimi nuk mjafton. Demokracitë liberale duhet të mësojnë nga Poper, se të mbështesësh tolerancën do të thotë t’i trajtosh me intolerancë intolerantët.