MENU
klinika

Rexhep Ismajli

Shqipja sot – Reflekse rreth “krizës” në gjuhë

24.08.2023 - 16:09

Në kuadër të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, akademik Rexhep Ismajli, nga Sesioni i Gjuhësisë, ka paraqitur studimin e tij me titull: Shqipja sot – Reflekse rreth “krizës” në gjuhë.

Ai ka thënë se, diskutimet për ‟krizën” në gjuhë nuk janë diçka që ndeshet rrallë. Pa qenë krejtësisht sistematike, ato reflektojnë fazën e zhvillimeve të panjohura më parë në historinë e shqipes: nga zhvillimet në rritje të proceseve të standradizimit dhe të stabilizimit të përdorimeve në këtë nivel, në 3 dekadat e fundit shqipja po jeton fazën e zhvillimeve të papërjetuara më herët në historinë e saj, duke kaluar nga funksionimet në bashkësi relativisht të përkufizuara të folësve, me varietetet e shkruara, përmes lulëzimit si asnjëherë më parë të përdorimeve të shkruara e në ndeshje të drejtëpërdrejtë me shumë gjuhë të tjera, me mundësi dhe horizonte zhvillimi në hapësirat që ofron revolucioni teknologjik në fushën e komunikimeve, shfaqen përpara saj ‟rreziqe” të papërjetuara më herët.

Akademik, Rexhep Ismajli

Si do vështruar ‟kriza në gjuhë”? Ka dy aspekte përgjithësisht të sprovuara: vështrimi linguistik, që lidhet me çështje të normave, dhe vështrimi sociologji, antropologjik, dhe të dy horizontet gjithsesi të përkapura si komplementare.

Në rastin e gjuhës me histori të madhe standardizimi dhe lulëzimi kulturor, të frëngjishtes, qysh në vitet 30 të sh. 20 gjuhëtari i shquar Ch. Bally e kishte shtruar çështjen e krizës në gjuhë, duke iu drejtuar në radhë të parë problematikës së mësimdhënies, gjithsesi në horizontin e manifestimeve të veçanta të frëngjishtes së Zvicrës nën ndikimin e dy momenteve të rëndësishme: të trysnisë së gjermanishtes dhe të tutelës së qendrës parisiane. Zhvillimet kanë qenë shumë më të gjera.

Ku ndodhet shqipja sot në raport me një vështrim për krizën, a ka krizë të shqipes, ku mund të shihen manifestimet e saj në horizontet aktuale? Nëse krizë të gjuhës ka, a do të thotë kjo se ka njëherësh krizë kulture, krizë morali? Por të kthehemi te çështja themelore: nëse krizë të gjuhës ka, le të hedhim paraprakisht një sy te çështja themelore: ç’është gjuha dhe ç’është gjuha shqipe sot.

Cilat janë dimensionet e njasaj ‟krize”? Të funksionimit si mjet, të funksionimit si simbol, dhe të vështrojmë më tej burimet: në ndryshimet në shkrim, në diversifikimet e grupeve shoqërore, në përhapjen rruzullore, etj.