MENU
klinika

Ideja e “Shqipërisë së Madhe” tërbon Beogradin

Vizita e Kurtit në Tetovë e Çair, “tërmet” në Shkup e Beograd

14.08.2023 - 12:08

Vizita e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në Tetovë dhe Çair të Maqedonisë së Veriut, ka trazuar politikën në Shkup, Beograd madje edhe Prishtinë, dhe jo pa arsye. Që prej fundjavës, Kurti ka qenë shënjestër e kritikave, madje edhe e sulmeve të ashpra, kryesisht nga Serbia. Vetë vizita e liderit Kosovar, pritja që i ngjante një fushate elektorale, tubimi i organizuar, mesazhet e forta ose të keqkuptuara, kanë lënë vend për pakënaqësi në të trija kryeqytetet. Në Maqedoninë e Veriut, Kurti është parë si “përçarës”, pasi ka takuar vetëm përfaqësuesit e dy partive opozitare, duke anashkaluar BDI-në, partinë më të madhe të shqiptarëve atje. Në Kosovë, nga opozita ai është akuzuar se po ndërhyn në mënyrë të paprecedentë në çështjet e brendshme të shqiptarëve në rajon. Ndërsa Serbia, gjithmonë “e etur” për të gjetur “gjilpërën në kashtë”, kur bëhet fjalë për Kosovën, ka akuzuar se promovoi idenë e “Shqipërisë së madhe”, një ide që gjithmonë është dukur si “recetë tensionesh” në një rajon që më shumë njeh luftën se paqen.

Vizita e Kurtit

Gjithçka nisi të shtunën mbrëma, kur kryeministri Albin Kurti mori pjesë në tubimin e organizuar nga Komuna e Tetovës, për nder të vizitës së tij, i shoqëruar nga Kryetari i kësaj komune, Bilal Kasami. Po ashtu, gjatë vizitës së tij në dy komunat, Kurti foli kryesisht për projektet infrastrukturore që do të lidhin Tetovën e Prizrenin dhe bëri thirrje që të intensifikohen punimet. Por, ai dha edhe disa mesazhe politike para tetovarëve, duke thënë se Maqedonia e Veriut duhet të jetë larg Serbisë, e më afër Kosovës. “Aleanca veriatlantike NATO-ja, Bashkimi Europian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar janë platforma vlerore e cila na sjell mbrojtje e siguri, sidomos në këtë kohë kur imperializmi rus e riktheu luftën në kontinentin tonë europian. Maqedonia e Veriut, sa më afër Kosovës, Shqipërisë dhe Bullgarisë e sa më larg Serbisë, e cila nuk po distancohet as nga Milosheviçi e as nga Putini, aq më afër ajo, aq më afër Maqedonia e Veriut do të jetë anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe aq më i sigurt do të jetë rajoni i ynë i Ballkanit. E për këtë ne duhet ta ndihmojmë dhe duhet ta përkrahim Maqedoninë e Veriut”, tha Kurti. Ai kërkoi një afrim dhe një bashkëpunim më të ngushtë mes institucioneve të Kosovës dhe atyre të Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Bullgarisë.

Pakënaqësitë e RMV

Sakaq, vetë autoritetet nga RMV kanë patur rezerva, lidhur me mosrespektimin e simboleve të tyre kombëtare. Presidenti Stevo Pendarovski, tha se organizatorët e pritjes së kryeministrit të Kosovës në Tetovë dhe Çair duhet të dënohen, sepse sipas tij ishte një promovim i idesë shoviniste që ndez urrejtje dhe provokim nacionalisht. Qeveria e Shkupit ka kërkuar të nisin hetimet për flamujt “Autoctonus”në Tetovë që u shfaqën në vizitën e Kurtit. Në reagimin e zyrës së kryeministrit Dimitar Kovaçevski, thuhet se vendosja e flamujve që nuk janë kombëtar është në kundërshtim me protokollet dhe ligjet për organizimin e manifestimeve në prani të shtetarëve të vendeve të huaja. Nga kabineti i Kovacevksit kanë dënuar faktin se në këtë vizitë nuk është kënduar himni e as nuk është vendosur flamuri i Maqedonisë së Veriut.

Akuzat e Beogradit

Edhe më e ashpër ka qenë Serbia, me reagimet e forta të Aleksandër Vuçiç dhe Petar Petkoviç. Presidenti i Serbisë ka thënë se Kurti “ka promovuar idenë e Shqipërisë së Madhe”. “Ajo që ndodhi në Maqedoninë e Veriut ishte skandal i skandaleve. Aty u promovua ideja e ‘Shqipërisë së madhe’, u theksuan simbolet e saja dhe Kurti u prezantua si kryeministër i të gjithë shqiptarëve dhe kryeministër i Tetovës, ndër të tjera”, tha Vuçiç në një intervistë për “TV Pink”. Po ashtu, ai theksoi se emërtimi i një rruge në Çair me emrin e Adem Demaçit, është “skandaloz”, pasi Demaçi është “ideologu dhe separatisti më i keq dhe më i madh i ‘Shqipërisë së madhe’”, siç e quajti ai. Ndërsa, Drejtori i Zyrës për Kosovë Petkoviç është shprehur se kjo është një vrazhdësi dhe marrëzi e shumëfishtë, sepse “deklarata të tilla bëhen në kohën kur haptazi angazhohet në destabilizimin e Maqedonisë së Veriut”.