MENU
klinika

"Është Baftiar Zeqo i Kuvendit"

Bardhi ‘godet’ Bashën: Ka një vit e gjysmë që nuk vjen në seancë dhe tani…

20.09.2023 - 17:18

Deputeti i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka sulmuar Lulzim Bashën teksa e ka krahasuar me ish kryebashkiakun e Fierit, Baftiar Zeqo.

Bardhi tha se nuk do ta besojë që Basha do të bëhet një “Baftiar Zeqo” i Kuvendit të Shqipërisë, duke ardhur me vrap vetëm për të votuar ligjet e qeverisë Rama.

Gjatë një deklarate për mediat pas përfundimit të mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, Bardhi tha se nuk besoj se do të ketë ndonjë deputet të opozitës që do të votojë ligjin e propozuar nga qeveria për rritjen e pagave të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

“Unë nuk dua që ta besoj që ka deputetë të opozitës në Parlament që nesër do të japë mesazhin që Rama është burrë i mirë, i ka rritur pagat anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, se do që ata të jenë të pavarur. Kam dëgjuar vetëm njërin që e ka deklaruar, ndoshta nuk e ka pasur të plotë informacionin se për çfarë bëhet fjalë.

Ky ligj nuk ka lidhje me Reformën në Drejtësi, nuk është konsultuar as me partnerët tanë strategjikë. Çdo ligj që prek ligjet e Reformës në Drejtësi, duhet të jetë i asistuar nga partnerët tanë. Kjo është arsyeja që kemi një pazar të qartë mes anëtarëve të Kushtetueses dhe Ramës.

Unë nuk dua të besoj që Basha është Baftiar Zeqo i Kuvendit që vjen me vrap, pa dhënë asnjë argument vetëm për të votuar ligjet e qeverisë. Basha ka 1 vit e gjysmë që nuk vjen në Kuvend dhe të vish me vrap për të votuar një ligj nga Rama, sikur Rama është bërë burrë i mirë dhe kërkon t’u rrisë rrogat gjykatësve të Kushtetueses, do të thotë se je Baftiar Zeqo i Kuvendit”, u shpreh Bardhi.