MENU
klinika

"Presioni i migracioni është i padurueshëm"

Meloni ‘dhëmbë për dhëmbë’ me emigrantët

17.09.2023 - 09:01

Në një video-mesazh të postuar në rrjetet sociale, kryeministrja italiane Giorgia Meloni iu referua ardhjeve të emigrantëve dhe refugjatëve të regjistruara në Italinë jugore, duke nënvizuar se “presioni i migracionit është i padurueshëm”.

“Këto janë pasoja të një situate shumë të vështirë ndërkombëtare, në të cilën ne hasim probleme para-ekzistuese të vendeve afrikane dhe një destabilitet në rritje, veçanërisht në rajonin e Sahelit”, shtoi Meloni.

Ajo theksoi gjithashtu se fenomene të tilla si xhihadizmi, lufta e grurit, grushtet e shtetit dhe fatkeqësitë natyrore, mund të shtyjnë dhjetëra miliona njerëz të duan të largohen nga atdheu i tyre, për të kërkuar një të ardhme më të mirë në Evropë, por është e qartë se Evropa nuk mundet të akomodojë këtë numër të madh”.

Kryetarja e qeverisë italiane deklaroi se “ardhjet e emigrantëve mund të ndalen duke aktivizuar një mision europian – detar nëse është e nevojshme – në marrëveshje me vendet e Afrikës së Veriut, për të ndaluar nisjet e detarëve”. Ajo shprehu mendimin se “Evropa duhet të pranojë vetëm ata që realisht kanë të drejtën e azilit, bazuar në konventat ndërkombëtare” dhe kërkoi që “të bëhen investime serioze për zhvillimin në Afrikë”.

Kryeministrja italiane njoftoi gjithashtu se ftoi presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, të vizitojë Lampedusa me të “për të kuptuar më mirë seriozitetin e situatës me të cilën përballet Italia dhe për të përshpejtuar zbatimin e marrëveshjes me Tunizinë, dhe në lidhje me mbështetjen financiare të vendit”. Në të njëjtën kohë, ajo nënvizoi se i ka kërkuar presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, që në axhendën e samitit të ardhshëm evropian të përfshijë emigracionin.

Në video-mesazhin e saj gjashtë minutësh, Meloni iu referua edhe “masave emergjente që qeveria italiane synon të marrë menjëherë, për të ulur numrin e mbërritjeve të regjistruara ditët e fundit”. Në veçanti, ai tha se në kabinetin e së hënës së ardhshme “do të vendoset rritja e kufirit të ndalimit të përkohshëm në qendrat e riatdhesimit” të atyre emigrantëve që hyjnë ilegalisht në Itali. Ky afat do të arrijë në tetëmbëdhjetë muaj, ndërsa për azilkërkuesit do të jetë dymbëdhjetë muaj.

“Dua t’i dërgoj një mesazh të qartë kujtdo që dëshiron të hyjë ilegalisht në Itali: nuk është mirë t’u besosh trafikantëve të qenieve njerëzore. Për shkak se të kërkojnë shumë para, të hipin në varka që nuk janë të pajisura për këto udhëtime dhe gjithsesi, nëse hyn në Itali ilegalisht, do të ketë ndalim të përkohshëm dhe riatdhesim”, përfundoi Giorgia Meloni.