MENU
klinika

“Po jetojmë me kriza afatgjata”

OKB: Mbi 700 milionë njerëz nuk e dinë nëse do të ushqehen më

15.09.2023 - 10:21

Një krizë globale e urisë i ka lënë më shumë se 700 milionë persona me dilemat nëse apo kur do të mund të ushqehen sërish, ka thënë shefja e Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Ushqim, Cindy McCain.

Ajo ka thënë në një takim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së se për shkak të mungesës së fondeve, agjencia është detyruar që t’i ndalë shumë ndihma për miliona persona dhe se “shkurtime tjera do të ndodhin shpejt”.

“Ne jemi duke jetuar tani me një seri të krizave afatgjata, të cilat do të vazhdojnë të rrisin nevojën për ndihma humanitare. Ky është realiteti i ri i komunitetit humanitar – normalja e re – dhe do ta vazhdojmë të përballemi me situata të tilla edhe në vjetët që po vijnë”.

Shefja e kësaj agjencie – e veja e senatorit të ndjerë amerikan John McCain – ka thënë se vlerësohet që gati 47 milionë njerëz në mbi 50 shtete janë vetëm një hap larg urisë dhe 45 milionë fëmijë nën moshën pesëvjeçare besohet se po përballen me kequshqim.

Në gjetjet tjera është përmendur se 783 milionë njerëz në 79 shtete të botës flenë të uritur çdo natë.

Ndër faktorët kryesorë që kanë çuar në këtë situatë besohet se janë kombinimi i konflikteve, kriza ekonomike, kriza ekstreme dhe rritja e çmimeve./REL

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


The Economist: Çfarë duhet të bëjnë vendet e varfëra?

‘Në kosh’ vite të tëra përparimi në luftën kundër varfërisë