MENU
klinika

Dëshmitë e 3 ditëve të lirisë

“Revolta e Spaçit”

21.09.2023 - 17:16

Tre ditët e lirisë në burgun e Spaçit u sollën pasditen e djeshme në kinema “Millenium” nga dëshmitë e protagonistëve të revoltës së Spaçit në një dokumentar të realizuar me përkushtim nga skenaristja Luljeta Progni dhe regjisori Pandeli Çeço.

Premiera e këtij dokumentari mblodhi së bashku jo vetëm ata që vuajtën personalisht ferrin e diktaturës komuniste, të mbijetuar dhe familjarë, por edhe figura të jetës publike e politike, studiues, gazetarë, aktivistë e qytetarë. Të pranishëm ishin edhe përfaqësues të Trupit Diplomatik.

Në paraqitjen e shkurtër para të pranishmëve në sallë, skenaristja Progni tregoi se nuk kishte qenë e lehtë të mblidhte dëshmitë e të mbijetuarve të Spaçit, pasi duke rrëfyer ajo mund të ndjente se si ringjallej trauma e tyre e vuajtjeve. Ajo tregoi se dokumentarë si ky për revoltën e Spaçit mbeten kujtesë për të tashmen dhe të ardhmen, ndërsa vuri në dukje se herë pas here ndeshet me indiferencën e disa segmenteve të shoqërisë apo edhe me mosbesimin e tyre për ekzgjarimin e ngjarjeve të kohës.

Dokumentari prodhuar nga Kujto.al u mbështet nga Ambasada e Zvicrës në kuadër të përkujtimit të 50-vjetorit të Revoltës së Spaçit.

Ambasadorja e Zvicrës, Ruth Huber në fjalën e saj u shpreh se ky dokumentar tregon historinë e atyre që guxuan të ëndërrojnë për një Shqipëri të lirë.

“Zvicra mbështet këtë nismë për shkak se të përballesh me të kaluarën është e rëndësishme për shoqërinë shqiptare. Që demokracia të jetë e plotë, persekutimi i shkaktuar nga ish-regjimi duhet të bëhet i njohur. Kjo nis me të treguarit e historive të atyre që vuajtën më shumë”, theksoi ajo.

Dokumentari solli në sallë atmosferën e burgut të tmerrshëm të Spaçit, trajtimin çnjerëzor të të burgosurve politikë, punën e rëndë, mungesën e ushqimit dhe izolimin e tyre në biruca ku lidheshin duarsh e këmbësh.

Si nisi revolta e Spaçit? Dëshmitarët pohuan se ajo lindi si revoltë ndaj trajtimit të pamëshirshëm ndaj tyre dhe përfundoi me ngritjen për tre ditë të flamurit kombëtar pa yll.

Dëshmitarët e dokumentarit janë ish-të burgosur dhe ish-protagonistë të revoltës: Visar Zhiti, Xhavit Lohja, Zenel Dragu, Ylber Merdani, Tomi Kondakçi, Gjetë Kadeli, Pavllo Popi, Gëzim Çela.

“Rroftë Shqipëria e lirë” “Poshtë komunizmi”, “Poshtë diktatura”, “Ne jemi me Evropën e lirë”, ishin thirrjet që oshëtinë grykave të maleve të Mirditës kur të burgosurit politik të Spaçit u ngritën në revoltë kundër diktaturës.

50 vjet më parë, djem e burra trima u përballën me versionin më të egër të diktaturës kur guxuan të kundërshtojnë dhunën, torturat, urinë, skllavërinë prej punën së detyruar në galeritë e ftohta të minierës së piritit e bakrit.

Dokumentari kushtuar revoltës së Spaçit sjell ngjarjet minutë pas minute për tri ditët e revoltës, rrëfyer prej protagonistëve kryesorë e dëshmitarëve të ngjarjeve që shënuan 3 ditët e rezistencës në kampin burg të Spaçit.

50 vjet nga Revolta e Spaçit

Spaçi nisi të funksionojë si kamp pune të detyruar në vitin 1968, për të shfrytëzuar punën e të burgosurve politikë në minierë.

Në një mjedis të tensionuar për shkak të punës së rëndë, u desh vetëm një shkëndijë që më 21 maj 1973, në Spaç, të niste revolta më e madhe e të burgosurve politikë në Shqipërinë komuniste dhe ndër më të mëdhatë në Evropën Lindore.

Të burgosurit kërkonin të drejtat e tyre duke thirrur “Poshtë komunizmi!” dhe “Rroftë Shqipëria e lirë!”

Ata ngritën mbi kamp flamurin kombëtar pa yllin komunist.

Të burgosurit rezistuan deri mëngjesin e 23 majit, kur forca të shumta policore e shtypën me dhunë revoltën.

Më 24 maj 1973 u vendos të dënoheshin me pushkatim Skënder Daja (23 vjeç), Dervish Bejko (27 vjeç), Hajri Pashaj (29 vjeç) dhe Pal Zefi (33 vjeç). U ekzekutuan po atë ditë. Eshtrat e tyre nuk janë gjetur ende. Dhjetëra të burgosur të tjerë u ridënuan me burg.

Martirët e Spaçit:

Skënder Daja. Regjimi komunist i kishte pushkatuar të atin kur Skënderi ishte fëmijë. Ishte rritur nëpër jetimore dhe njihej për pasionin për muzikën dhe kitarën. E burgosën duke e akuzuar se donte të arratisej. Në revoltë, u bëri thirrje ushtarëve t’u bashkoheshin të burgosurve. Ishte ndër të fundit që nuk u dorëzua.

Dervish Bejko. I përkiste një familjeje të konsideruar kulake nga regjimi. E kishin dënuar me 12 vjet heqje lirie sepse kishte planifikuar të arratisej. Ishte ndër të parët që ngriti zërin në revoltë dhe qëndroi deri në fund duke mos pranuar ta nënshkruante akuzën dhe duke mos implikuar njeri tjetër që kishte marrë pjesë në revoltë.

Hajri Pashaj. E kishin arrestuar dy herë për tentativë arratisjeje duke nisur që nga mosha 16 vjeç, ndërkohë i ati kishte ndërruar jetë në burgjet komuniste. Gjatë revoltës, mori përsipër të bisedonte me zëvendësministrin e Brendshëm, Feçor Shehu, duke guxuar t’i thotë atij: Ti e ke vendin këtu në burg, në vendin tim!

Pal Zefi. I përkiste një familjeje antikomuniste dhe ishte dënuar bashkë me të vëllanë. Pasi nuk pranuan ta nxirrnin nga izolimi kur i kishte mbaruar periudha 30-ditore e dënimit, ai arriti të dilte nga biruca, rrëmbeu një shufër hekuri dhe kërcënoi se nuk do të kthehej kurrë aty. Kjo ishte ngjarja që nxiti shpërthimin e revoltës së Spaçit.

“Perëndimi i andrrimeve” dhe poezia e Gasper Palit!

Jeta e shkurtër e poetit që jetoi në kohë të pavarësisë

Në momentin e përurimit, ajo kishte rreth 6.000 vëllime në fond

Biblioteka kombëtare, si u pasurua përgjatë viteve!

Pse çmimet Nobel janë emëruar sipas tij

Kush ishte Alfred Nobel?