MENU
klinika

Skandali me fisin Rraja

Tërhiqet prokuroria, kërkon riekspertim për dhunën ndaj Majave

13.09.2023 - 14:58

Pas tentativave për të liruar nga burgu anëtarët e fisit Rraja, prokuroria ka bërë një hap pas.

Pasi media denoncoi skandalin se po bëhen përpjekje për të ndryshuar akuzën, Prokuroria e Tiranës ka kërkuar riekspertimin për kushërinjtë Bilbil dhe Jashar Maja, të dhunuar barbarisht në korrik të këtij viti me shkopa bejsbolli e qyta pistolete nga Rrajat.

Në bazë të këtij urdhri, do të jenë 3 ekspertë të tjerë mjeko-ligjorë që do të bëjnë aktin e ekspertimit të ri, pasi ai i mëparshmi nuk u pranua nga dy kushërinjtë e dhunuar, sepse dhuna barbare ishte cilësuar si plagosje e lehtë nga prokurori Ylli Basha.

Në akt-ekspertimin e parë, eksperti mjeko-ligjor Elton Serani, kishte deklaruar se kushërinjtë Maja nuk kishin patur rrezik për jetën, pavarësisht frakturave të shumta në kokë dhe trup, por goditjet kishin sjellë vetëm humbjen e përkohshme të aftësisë për punë.

Por ky ekspertim solli reagime të shumta dhe zemërim në opinionin publik, pasi të gjithë i kanë parë pamjet e dhunës barbare ndaj Bilbil dhe Jashar Majës, pamje të cilat ishin shpërndarë nga vetë autorët e krimit.

Sot, djali i ish-deputetit socialist Rrahman Rraja dhe vëllai i tij janë ende në kërkim, ndërkohë që falë aktekspertimit të nxjerrë më herët, mund t’ia kishin hedhur vetëm me një gjobë, pavarësisht pamjeve ku shfaqeshin edhe me pistoletë në dorë.

Dy kusherinjtë kanë konfirmuar se nuk do bëjnë ankim për ngjarjen në prokurori, duke çuar në dështimin e çështjes. Sipas tyre, çdo ankim i bërë në rrugë private nuk ka vlerë, pasi s’mund të jenë të mbrojtur nga kjo drejtësi dhe kjo polici.

Anëtarët e fisit Rraja dhunuan dy kushërinjtë Jashar e Bilbil Maja pas protestës së këtyre të fundit kundër gurorëve të cilat me gërmimet në tokë përmes shpërthimeve me eksploziv, sipas tyre kanë dëmtuar banesat e zonës. Për dhunën e ushtruar ndaj kushërinjve Maja, gjykata ka lënë në burg 3 persona, ndërsa 6 të tjerë janë shpallur në kërkim. Mes tyre Rexhep Rraja, djali i ish-deputetit dhe dy vëllezërit e ish-deputetit socialist të Krujës, Flamur dhe Xhelal Rraja.