“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.
Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.
Pacienti: Trajtime për kancerin e prostatës, çfarë duhet të di?
Mjeku: Disa tumore rriten ngadalë ose shumë pak dhe ndonjëherë nuk kanë nevojë për trajtim shumë të specializuar. Disa tumore të tjerë rriten shumë shpejt dhe përhapen në pjesë të tjera të trupit.
Trajtimi për kancerin vendoset nga mjeku përkatës dhe në varësi të disa faktorëve të tillë si:
Mosha, shëndeti dhe mënyra e jetesës
Cila është shkalla e kancerit të prostatës dhe a është përhapur në pjesë të tjera të trupit
Efektet anësore të mundshme
Trajtimet më të zakonshme të kancerit të prostatës janë:
Mbikëqyrja aktive: ju duhet të bëni vazhdimisht analiza të PSA (antigjeni specifik i prostatës), ekzaminim të rektumit, ekografi dhe biopsi për të mbajtur nën kontroll tumorin që mos të përkeqësohet.
Kirurgjia: është një tjetër opsion shumë i rëndësishëm që mos të përhapet kanceri. Mjeku mund të heqë vetëm gjendrën e prostatës, ose në varësi të rastit edhe indet përreth tij. Efektet anësore më të zakonshme nga një operacion i tillë janë problemet e kontrollit të urinës dhe problemet me marrjen dhe mbajtjen e ereksionit.
Terapia rrezatuese: Ky trajtim përdor rrezet me energji të lartë (të ngjashme me rrezet X) për të luftuar kancerin. Shpesh është një zgjedhje për burrat e moshuar dhe për ata me probleme të tjera bashkëshoqëruese shëndetësore.
Krioterapia: Nëse keni kancer të hershëm të prostatës, mjeku mund të zgjedhë të vrasë qelizat kancerogjene duke i ngrirë ato.
Kimioterapia: Ky trajtim përdor medikamente për tkurrjen ose shkatërrimin e qelizave të kancerit të prostatës. Ju mund t’i merrni medikamentet nga goja ose t’i injektoheni në vena. Shumica e burrave me kancer të hershëm të prostatës nuk marrin kimio. Zakonisht është vetëm për raste të përparuara ose kur kanceri është përhapur në pjesë të tjera të trupit.
Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.