MENU
klinika

Përgjigjet mjeku

Cilat janë masat parandaluese për zmadhimin e prostatës

20.11.2022 - 11:14

“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.

Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.

Pacienti: Cilat janë masat parandaluese për zmadhimin e prostatës

Mjeku: Prostata është një gjendër që ndodhet vetëm te meshkujt dhe është e vendosur poshtë fshikëzës së ujit. Ajo ka disa funksione. Prostata sekreton një lëng, i cili ndihmon dhe ushqen spermën. Vetë kjo gjendër rrethon kanalin e uretrës, që është tubi që nxjerr jashtë urinën nga fshika e ujit deri te maja e penisit.

Vetë zmadhimi me moshë i prostatës është pjesë e procesit të plakjes dhe nuk ka masa të vërteta parandaluese. Por duhet që pacienti të shmangë pirjen e lëngjeve pas orës 6 të darkës për të reduktuar urinimin e shpeshtë natën. Mirë është që të paktën të pihet një sasi normale lëngjesh, sipas ndjenjës së etjes që ka njeriu. Gjatë ditës pirja e mjaftueshme e ujit ndihmon në parandalimin e infeksionit. Po ashtu, marrja e lëngut të kranberrit (boronicës) ndihmon në parandalimin e infeksioneve të traktit urinar.

Duhet pasur parasysh se zmadhimi i prostatës nuk është kancer, as nuk e rrit mundësinë për kancer të prostatës, por nga ana tjetër mund të bashkë-ekzistojnë të dyja këto: edhe zmadhimi beninj, edhe kanceri i prostatës.

Në moshën 40-50 vjeç 25% e burrave kanë zmadhim të gjendrës së prostatës e në moshën 70-80 vjeç 80% e burrave e kanë këtë problem, por vetëm një në dhjetë veta kanë simptoma shqetësuese të prostatës e urinimit. Në Shqipëri mbi 100 mijë të moshuar kanë shenja që lidhen me zmadhimin e prostatës. Në vendin tonë afërsisht bëhen 1000 operacione në vit brenda e jashtë shtetit për heqjen e gjendrës së prostatës.

Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.