MENU
klinika

“Të rikthehet taksimi për bizneset e vogla”

Çfarë tha FMN pas vizitës në Tiranë

29.10.2023 - 17:18

Fondi Monetar Ndërkombëtar rekomandon qeverinë shqiptare që të marrë masa fiskale, të cilat sjellin më shumë të ardhura, siç janë heqja e përjashtimeve të tjera të TVSH-së dhe heqja e shkallës tatimore zero për bizneset e vogla.

Deklarata përmbyllëse përshkruan konstatimet paraprake të stafit të FMN-së në fund të vizitës në Tiranë dhe thekson se nevojitet një strategji të ardhurash afatmesme për një konsolidim të besueshëm fiskal.

Në njoftim thuhet se “autoritetet kanë miratuar ligje për disa nga reformat në politikat tatimore në përputhje me asistencën e mëparshme teknike të FMN-së. Miratimi në kohë i masave, që priten të ndërmerren është shumë i rëndësishëm, përfshirë reformat në taksën e pronës dhe të lojërave të fatit”.

Ndërkohë thuhet se duhet të përfundojë puna për plotësimin e parakushteve për kryerjen në kohë të reformave në taksën e pronës, duke përfshirë ngritjen e një kadastre fiskale të centralizuar dhe vendosjen në funksion të saj.

“Mbledhja e të ardhurave të mëtejshme do të varet nga forcimi i administrimit të të ardhurave, duke përfshirë rritjen e pajtueshmërisë tatimore të individëve të pasur dhe nga plani i veprimit për Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve. Progresi në këto fusha do të mbështesë gjithashtu përpjekje më të mëdha për uljen e informalitetit dhe zgjerimin e bazës tatimore”, thuhet në deklaratë.

FMN thekson se përfshirja e partneriteteve publike-private (PPP) në kuadrin e zakonshëm të investimeve publike dhe në proceset buxhetore është nevojë urgjente dhe për këtë duhen ndryshime ligjore. “Publikimi i planifikuar i një pasqyre të veçantë të rreziqeve fiskale në vitin 2024 është një hap i rëndësishëm drejt monitorimit të ardhshëm të rreziqeve fiskale, duke përfshirë rreziqet, që rrjedhin nga PPP-të, detyrimet kontigjente të nënkuptuara dhe ato ligjore, dhe ndërmarrjet me pronësi shtetërore, thuhet në deklaratë.

Në tërësi, Fondi Monetar Ndërkombëtar ka dalë në konkluzion se perspektiva ekonomike e Shqipërisë pritet të jetë e shëndoshë. Një ditë më parë, qeveria ka miratuar projektbuxhetin dhe paketën fiskale për vitin 2024, ku sa i takon taksave, ndryshime kishte vetëm në propozimin për të vendosur tavan në akcizën e mallrave.