MENU
klinika

U arrestua më 31 korrik

Dritan Goxhaj flet pas daljes nga qelia: Luftën e bënë mediat

11.10.2023 - 14:33

Dritan Goxhaj, ish-luftëtari i UÇK-së ka reaguar një ditë pas lirimit nga qelia, në lidhje me arrestimin e tij më 31 Korrik me kërkesë nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

Në një intervistë për Fax News, Goxhaj ka folur mbi akuzat e ngritura dhe ka falenderuar opinionin publik që e ka mbështetur. Ai ka treguar dhe situatën prekëse gjatë arrestimit, kur djali i tij i vogël pa tek i vendosnin prangat.

“Dua të falënderoj juve, median se luftuam bashkë, nuk më latë vetëm. Luftën më të madhe e bëtë ju, që më mbështetet për të kërkuar këtë drejtësi. Fëmijët janë të vegjel, i gjeta mirë, u gëzuan. Ata kanë botën e tyre”, ka thënë Goxhaj.

Ish-luftëtari i UÇK-së ka dhënë detaje mbi artikullin e shkruar nga ku Prokuroria Speciale nxorri dhe kërkesën e tij për ekstradim në Hagë. Ai tha se duhej thirrur fillimisht mbi deklarimet e tij dhe jo të arrestohej. Goxhaj shtoj më tej që shteti shqiptar nuk e ka mbështetur dhe nuk i priste veprimet e tij.

“I qëndroj asaj që kam thënë. Atdhetarizmi nuk është si shamitë e bukura, që kur veshim një kostum të bukur e vendosim që të ngjajë bukur. Patriotizmi nuk është prone e kurrëkujt, është një formë e gjithë popullit, njerëzve që kërkojnë të funksionojë shteti si institucion. Në momentin që kam bërë artikullin më kanë thënë shokë të luftës që ki kujdes, se këta nuk do e lënë me kaq. Dhe kam pritur që gjykata dhe prokuroria do reagonte. Ajo që nuk prisja ishte veprimi i shtetit shqiptar. Pjesë e administratës shqiptare, ministria e drejtësisë, policisë dhe një pjesë e Prokurorise nga mënyra se si reguan. Mënyra se si vepruan. Prisja një ftesë, një pyetje, siç e parasheh edhe ligji. Prokurori duhet të më thërriste, të më kërkonte arsyet e rrethanave. Veprimi nga ana e shtetit në këtë mënyrë, ishte e papritur. Përkulja e shtetit deri në fund, ishte gjëja që më doli jashtë çdo të papriture”, ka thënë Goxhaj.

Kur pyetet nëse do ta botonte sërish artikullin dhe a ka ende gjëra të tjera për treguar rreth ngjarjes, Goxhaj përgjigjet:

“Absolutisht po. Ato nuk janë të vetmit emra që kam deklaruar, ka edhe emra të tjerë. Do vazhdoj të shkruaj, në burg njeriu bëhet edhe më i qartë”, përfundoi ai.