MENU
klinika

Dyshohet se përgatiti minën për vrasjen e Vajdin Lamajt

Maqedonasi përballet me të pandehurit në gjykatë

10.10.2023 - 21:48

Në procesin gjyqësor në ngarkim të të pandehurve për vrasjen e Vajdin Lames e Klodian Saliut, një dëshmitar “surprizë” krijoi reagime në sallë duke çuar në shtyrjen e seancës.

Një shtetas maqedonas i identifikuar si Joshko Çervenkovski u paraqit në sallë, teksa nuk u sqarua nëse ishte si dëshmitar apo nën akuzë.

Hyrja e tij ngjalli reagim tek të pandehurit dhe tek avokatët e tyre, teksa këta të fundit kërkuan nxjerrjen e tij nga salla, pasi dëshmia e tij prej vetë avokatëve ishte kërkuar me letërporosi e jo fizikisht.

Emri i maqedonasit rezulton të jetë përmendur nga i penduari i drejtësisë Luftar Reçi, që thotë se Çervenkovski kishte montuar bombën me telekomandë që u vendos në ashensorin ku mbeti i vrarë biznesmeni Vajdin Lamaj dhe miku i tij, Artan Arsi në 2005.

Çervenkovski shoqërohej nga policia në Gjykatë, teksa pas qëndrimit të avokatëve ai u nxorr jashtë për të ngjitur shkallët e Prokurorisë së Posaçme.

Burime jo zyrtare konfirmojnë se ai është marrë në pyetje nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, por nuk ka një qëndrim nga ana tjetër në çfarë cilësie dhe nëse i është komunikuar ndonjë akuzë.

Ndalimi i tij është bërë rastësisht në Rinas, teksa të pandehurit në proces mes të cilëve Viktor Bajraktari (Imeraj) dhe Emiljano Shullazi, e kërkonin dëshminë e tij rreth deklarimeve që kishte bërë Luftar Reçi. E për këtë arsye ai kërkohej edhe nga Struktura e Posaçme për t’u ballafaquar në Gjykatë e dhënë dëshmi në cilësinë e dëshmitarit.

Një tjetër dinamikë në sallën e gjyqit, pak para se shtetasi maqedonas të futej në sallë, ishte dëshmia e babait të Klodian Saliut që sipas Luftar Reçit u vra nga anëtarët e grupit kriminal të Durrësit ku bëjnë pjesë vetë bashkëpunëtori i drejtësisë, Viktor Bajraktari (Imeraj), Emiljano Shullazi, Indrit Taullai, Lulzim Berisha, Plarent Dervishaj dhe Indrit Rusi. 92-vjeçari me probleme të theksuara shëndetësore, bëri deklarata të forta e prekëse para togave të zeza dhe të pandehurve.

“Jam Abedin Saliu 92 vjeç. Nuk kam për të shtuar asgjë nga çfarë kam deklaruar në dëshmitë e mëparshme që kam dhënë. Më kanë vrarë 3 djem, Shkëlqimin, Arjanin e Klodianin, edhe vajza më ka vdekur. Jam sëmurë, nuk dëgjoj, me njërin sy nuk shikoj fare e me tjetrin shumë pak. Ju lutem shumë e nderuar, mos më thërrisni më, nuk kam mundësi as fizike të vij, s’kam as çfarë them, iu qëndroj atyre që kam thënë më parë, lexojini. Mos më detyroni të vij herë të tjera këtu se nuk kam mundësi”.

SPAK akuzon Emiljano Shullazin, Lul Berishën dhe bandat e tyre si të përfshira në këto ngjarje.