Për të përfituar nga rimbursimi i kostove të larta në bujqësi, fermerët po i drejtohen sigurimit dhe formalizimit. Politikat e subvencionimit nga qeveria dhe programet e donatorëve, kanë nxitur fermerët të futen në skemën e sigurimeve shoqërore. Në 2022 sipas të dhënave të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, numri i fermerëve të siguruar u rrit me rreth 4 mijë më shumë duke arritur në rreth 62 mijë e 70 fermerë.
Sigurimi i fermerëve vlerësohet në ecuri pozitive, por si mund të nxihet ky sektor më tej edhe drejt formalizimit?
“Nuk ka lidhje me sa e kemi subvencionuar ne bujqësinë. Mund të kesh para pafund ta subvencionosh kështu siç është por do të lëngojë. Bujqësia duhet ti kthehet një ritmi tjetër. A do ketë fermerë individë në vijim?Patjetër!” – tha Arben Shkodra.
Edhe pse me një rritje, numri i fermerëve të formalizuar përballë totalit ende qëndron i vogël. Nga rreth 430 mijë fermerë në vend, vetëm 96 mijë janë të pajisur me NIPT, thënë ndryshe 22.3% e tyre.
“Imagjinoni që në këtë gamë të madhe të individëve 300 mijë operojnë krejtësisht jashtë radarit. Dhe duke qenë kështu dhe marrëdhënia midis individëve formal e informal krijon problematika. Është e domosdoshme që qeveria të vendosë një reformë të thellë e ta strukturojë”, shtoi Shkodra. Mbështetja financiare për fermerët përmes Skemave Kombëtare gjatë vitit 2022 arriti në afro 5.1 miliardë lekë.