Leku vijon të fitojë terren ndaj monedhës europiane. Euro është dobësuar përsëri duke e mbyllur javën në nivelet më të ulëta të regjistruara në dy muaj. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane po këmbehet me rreth 105 lekë. Ky rezulton niveli më i ulët i regjistruar që prej 16 gushtit.
Në fund të këtij muaji euro pësoi një forcim të menjëhershëm duke u këmbyer me mbi 110 lekë. Por, kjo situatë nuk zgjati shumë dhe tashmë Leku po arrin në vjeshtë nivele të ngjashme me ato të regjistruara gjatë sezonit veror. Sipas agjentëve të kursit të këmbimit ndikim mendohet se ka dhënë zgjatja e sezonit turistik por edhe shtimi i remitancave nga emigrantët për familjet në Shqipëri.
Gjashtëmujori i parë i vitit u karakterizua nga një mbi çmim i shpejtë i lekut kundrejt euros, i mbështetur nga zhvillimet pozitive në bilancin e pagesave, në formën e hyrjeve valutore neto nga turizmi dhe investimet e huaja direkte. Në fund të kësaj periudhe, kursi i këmbimit të euros ishte 106.4 lekë, dhe kjo përfaqësonte një mbiçmim të lekut me gati 7% kundrejt gjashtë muajve më parë dhe me 11% kundrejt një viti më parë.
Banka e Shqipërisë ka përsëritur se nuk do të shtojë ndërhyrjen për blerjen e valutës në treg për të stabilizuar kursin e këmbimit.Deri në fundit të vitit Banka Qendrore parashikon të tërheq nga tregu 300 milion euro në total
Ndërkohë që është theksuar se një kurs këmbimi i fortë i lekut kundrejt monedhave të huaja, kryesisht euros, ndihmon në mbajtjen e çmimeve në kontroll pra në rritjen e fuqisë blerëse së popullatës dhe në mbajtjen në kontroll të nivelit të inflacionit i cili aktualisht është në nivelin 4%.