MENU
klinika

Ja kur pritet të rikthehet qendërmbrojtësi kuqezi!

Broja “ndez motorët”, buzëqesh edhe Sylvinho

04.11.2023 - 14:53

Një Shqipëri pa Brojën nuk është e plotë. Në shifra, kuqezinjtë jo vetëm që nuk kanë stonuan pa “bomberin” e Chelsea-t, por kanë qenë fantastik, udhëheqin Grupin E si sulmi më i mirë, por ky fakt nuk zbeh aspak rolin e tij në ekipin Kombëtar. Sigurisht që ky grup, këto lojtarë që e sollën Shqipërinë në këto nivele, duhen respektuar, është merita e tyre, por Broja është pa diskutim “qershia mbi tortë” e këtij ekipi, një lojtar me një potencial shumë të madh i cili vetëm mund t’i bëjë mirë këtij grupi, për këtë është i sigurt edhe Sylvinho i cili brenda pak kohësh e vizitoi dy herë personalisht në Londër yllin shqiptar.

Më në fund, pas një kohe të gjatë, Broja u grumbullua për dy sfidat e tetorit, por për fat të keq pësoi një tjetër dëmtim, këtë herë në gjurin e majtë, çka bëri që të humbas jo vetëm sfidën me Republikën Çeke, por që nga ajo ditë nuk ka qenë në dispozicion as të Chelsea-t. Me sa duket, sulmuesi kuqezi ka lënë pas atë dëmtim të lehtë dhe pritet që të jetë në pankinë për sfidën e së hënës kundër Tottenham, lajm që e konfirmoi vetë trajneri Pochettino:

“Është më mirë, kemi folur me të, ndoshta mund të jetë i gatshëm në stol për të hënën. Ai po stërvitet mirë në ditët e fundit, shpresojmë që mund të përfshihet në këtë ndeshje, por sërish nuk është e konfirmuar”, u shpreh Pochettino.

Jo vetëm Broja, një mungesë e madhe e Shqipërisë në këto kualifikuese ka qenë edhe Marash Kumbulla. Forma fantastike e repartit mbrojtës, ku në 6 ndeshje kemi pësuar vetëm 3 gola, mbrojtja më e mirë, ka bërë që mungesa e Kumbullës të mos ndihet. Qendërmbrojtësi i Romës nuk zbret në fushë që nga muaji prill kur këputi ligamentet e gjurit. Kumbulla është rikthyer së fundmi të stërvitet i diferencuar, ndërsa brenda një muaji është planifikuar të zbret në fushë në një sfidë me të rinjtë për të kuptuar më qartë se kur do të jetë në dispozicion të Mourinho. Me Shqipërinë që po bëhet gati për një Evropian unik, rikthimi i Brojës dhe Kumbullës në dispozicion të Sylvinho-s është një lajm që të gjithë tifozët e presin me padurim.