MENU
klinika

Dyshohet se i përkasin “Koçoles” ose Fatmir Sulovarit

Gjenden mbetje kockore në fshatin Xarrë

15.11.2023 - 11:29

Mbetjet kockore të gjetur në fshatin Xarrë në Konispol, dyshohet se i përkasin Leonard Thodhorit ose Fatmir Sulovarit, të cilët rezultojnë të zhdukur prej muajit prill të këtij vit.

Mësohet se mbetjet kockore të gjetura mbrëmjen e së martës (14 nëntor) i përkasin kokës, ndërkohë që ditën e sotme po kërkohet për pjesët e tjera të trupit.

Ndërkohë në vendngjarje ndodhen ekspertë nga Vlora dhe Tiranë. Mbetjet kockore raportohet se janë dërguar në Institutin e Policisë Shkencore, për ekzaminime të mëtejshme.

“Mbrëmjen e djeshme, në fshatin Xarrë, pranë varrezave të fshatit, janë gjetur mbetje kockore humane, në proçes dekompozimi.

Mbetjet kockore do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore, për ekzaminime të mëtejshme.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë vijon punën për identifikimin e shtetasit/es, të cilit/es i përkasin këto mbetje kockore si dhe zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të këtij rasti”, njoftoi policia.

Zhdukja misterioze

Zhdukja misterioze e Leonard Thodhorit i njohur si “Koçole” dhe Fatmir Sulovarit më 6 prill ende nuk është zbardhur nga policia.

Rrëmbimi i dy miqve mendohet se u krye në vendin ku edhe u gjet e parkuar në mënyrë jo të rregullt makina e drejtuar nga Leonard Thodhori, në fshatin Çukë në Sarandë.

Sipas policisë, Leonard Thodhori, thënë ndryshe ‘Koçolja’ dhe Fatmir Sulovari, u rrëmbyen pasi u futën në kurth, nga makina e cila është fiksuar edhe nga kamerat e sigurisë në zonë.

Makinë me xhama të zinj, që siç vihet re lëviz me shpejtësi në disa akse rrugore në qytet në orën 15.50.

Në dosjen hetimore thuhet:

Nga kqyrja e pamjet filmike të marra nga kamerat e objektit XH/Telo rezulton se: Në orën 14.00.31 të datës 6 prill 2023, 50 minuta mbrapa orës reale shfaqet automjeti tip Wolskvagen me ngjyrë gri me targa AA 091 JC i cili zbret nga një rrugicë e fshatt Çukë dhe futet në rrugën kryesore në drejtim të një toke anë rrugës.

Në orën 14.03.24 shfaqet automjeti i cili zbret nga toka në anë të rrugës dhe futet në rrugën kryesore në drejtim të një toke në anë të rrugës dhe futet në drejtim të kësaj toke.

Nga kqyrja e kamerave shfaqet automjeti tip Wolskvagen me ngjyrë gri me targa AA 091 JC i cili del nga toka anë rrugës dhe futet në rrugën kryesore në drejtim nga rrethi i Çukës dhe një automjet tip Benz ngjyra e zezë i identifikuar nga ana jonë me targën AA751LV, targa të vjedhura, i cili vjen nga kanali i Çukës dhe lëviz në drejtim të rrethit të Çukës dhe ndalon rreth 200 metra pa shkuar te vendi ku më parë kishte ndaluar Wolksvageni.

Në orën 14.06.47 shfaqet autonmjeti Benz i cili afrohet dhe ndalon në krah të automjetit Wolsvagen ngjyrë gri me targa AA 091 JC.

Nga pamjet e siguruara nga kamera nr. 8 në orën 15.49.46 shfaqet automjeti tip Benz ngjyra e zezë me targë AA751LV i cili vjen nga rrethi i Çukës në drejtim të Kanalit të Çukës.

Por ajo që e ndihmoi policinë ishte rruga e kthimit që makina ‘Mercedes Benz’ bëri, pasi doli nga fshati Sorone në Sarandë, ku dyshohet se humbën gjurmët e dy personave të zhdukur.

Edhe këtë herë në ndihmë erdhën kamerat e sigurisë, në itinerarin e kthimit që ndoqi makina.

Në dosjen hetimore thuhet:

Nga kqyrja e pamjeve të siguruara nga kamerat e sigurisë në parcelat me mandarina që ndodhen rrugës për në Sorone pa hyrë në fshatin Pllakë shfaqet automjeti tip Benz ku dallohen xhama të zinj anësor, si dhe mbrojtëset e diellit të ulura.

Automjeti lëviz në drejtim të fshatit Sorone. Xhami i përparmë nga ana e pasagjerit është gjysmë i hapur dhe brenda tij arrin të dallohet një person. Në brendësi të automjetit nga ana e shoferit arrihet të dallohet një person i veshur me rrobë gri.

Targa e automjetit tip Benz YTO 1114 është denoncuar e vjedhur në Greqi. Nga kqyrja e pamjeve të siguruara nga kamerat e një karburanti shfaqet automjeti tip Benz ku arrihet të dallohet qartë një pullë jeshile në cepin fundor ballor nga ana e pasagjerit.

Automjeti ikën në drejtim të rrugës së vjetër për në Vlorë. Nga kqyrja e kamerave të Bashkisë Sarandë dhe të bizneseve të ndryshme është bërë i mundur identifikimi i itinerarit të ndjekur nga automjeti Merceded Benz.

Në orën 13.46.50, ora e kameras është 60 minuta nga ora reale, kamera e biznesit Saranda Treg shfaq automjetin që vjen nga rruga e vjetër e vlorës në drejtim të hyrjes së Sarandës, fshati Gjashtë.

Nga pamjet e kameras të një karburanti në orës 14.47/29, ora është fikse, automjeti hyn në qytetin e Sarandës në drejtim të Qafë Gjashtës. Automjeti zbret nga Qafa e Gjashtës dhe merr rugës per te kanali i Çukës. Automjeti lëviz më pas në drejtim të fshatit Çukë.

Por cili ishte problemi që personazhi i njohur si ‘Koçolja’ kishte me personat të cilët më pas kryen rrëmbimin dhe zhdukjen e tij dhe të mikut që e shoqëronte?

Cilët ishin personat me të cilët ai thuhet se ishte në konflikt? Pse Leonard Thodhori nuk nuhati asgjë nga ajo do t’i ndodhte?

Ajo që do të çonte grupin hetues në zbulimin e njërit prej autorëve dhe arrestimin e tij, do të ishin pikërisht lëvizjet e makinës ‘Mercedes Benz’, të cilat çuan policinë drejt fshatit Nivicë në Sarandë dhe drejt emrit të shtetasit Sofokli Baxheri, i njohur shkur si Sofo, banues në Nivicë.

Por cila është lidhja e Sofokli Baxherit me rrëmbimin e dy personave në Sarandë?

Pse grupi hetues ka krijuar bindjen se ai dha dëshmi të rreme për këtë ngjarje? Pse ai ka vendosur të kyçë gojën përpara hetuesve në lidhje me këtë rrëmbim?

Sipas grupit hetues, Sofokli Baxheri mendohet se u ka vënë në shërbim personave që rrëmbyen ‘Koçolen’ dhe Sulovarin, banesën që kishte marrë me qira në fshatin Nivicë në Sarandë.

Banesë në pronësi të shtetasit, Strati Dukshi, në oborrin e së cilës u gjend edhe makina ‘Mercedes Benz’, që dyshohet se transportoi dy personat drejt bazës ku u zhdukën, gjatë rrëmbimit të tyre.

“Unë Leonard Thodhorin, me nofkën ‘Koçole’ e njoh vetëm fizikisht si banor i qytetit të Sarandës, por nuk kam pasur kurrë marrëdhënie me të. Po kështu as me shtetasin, Fatmir Sulovari. Në lidhje me shtëpinë në Nivicë është e vërtetë që kam qenë ndërmjetës në qeramarrjen e vilës së shtetasit Strati Dukshi. Më datë 11 Janar 2023, në zyrën e agjencisë ku punoj, ka ardhur një shtetas me emrin Bledi, që donte të merrte me qira një banesë ose vilë për një vit, në periferi të Sarandës. Unë i ofrova këtij personi, që jetonte në Kanada, vilën e Strati Dukshit, por duke qenë se nuk kisha foto, shkuam e pamë nga afër”, ka deklaruar Sofokli Baxheri.

Pasi ranë dakord me çmimin, ky person i tha Strati Dukshit, se pagesën një vjeçare të qirasë, do e merrte te stacioni i autobusëve në Athinë.

Por Sofokli Baxheri, nuk tha asgjë tjetër për grupin hetues, duke vendosur të heshtë. Ai tha se shtetasin me emrin Bledi, nuk e pa më pasi ky i fundit i la në tavolinë kontratën e qirasë.

Madje Baxheri heshti edhe për makinën ‘Mercedes Benz’ që u gjet në oborrin e vilës në Nivicë, me të cilën dyshohet se u rrëmbyen Leonard Thodhori dhe Fatmir Sulovari.

Çfarë thuhet në dosjen hetimore:

Sofokli Baxheri dyshohet se banesën e marrë me qira në fshatin Nivicë, e ka vënë në shërbim personave të dyshuar si autorë të rrëmbimit dhe ndoshta vrasjes së ‘Koçoles’ dhe Sulovarit.

Ai akuzohet se ka gënjyer gjatë marrjes në pyetje nga policia, pas shoqërimit me disa të rinj të tjerë nga Saranda, si persona që mund të kenë dijeni mbi ngjarjen e rëndë. Ata janë kryesisht lidhje shoqërore e disa personave me precedentë penalë që dyshohet se fshihen pas rrëmbimit të dy 46 vjeçarëve.

Sipas policisë, Baxheri është njeriu kyç që nëse flet, mund të zbardhë jo vetëm rrëmbimin e ‘Koçoles’ dhe Fatmir Sulovarit, por edhe të një ngjarje tjetër të rëndë, në të cilën del i përfshirë i njëjti automjet ‘Mercedes Benz’ që dyshohet se është përdorur gjatë rrëmbimit të 46-vjeçarëve.

Kjo ngjarje, është ajo e vendosjes së një sasie eksplozivi në banesën e 54 vjeçarit, Lefter Lefteri, njohur ndryshe edhe me gjeneralitetet, Afëz Kulla.

Çuditërisht këtu del se Sofokli Baxheri është shok me djalin e pronarit të banesës së cilës iu vendos eksploziv.

Ndërsa grupi hetues kërkon prova se kush fshihet pas automjetit që u gjet në garazhin e banesës së Baxherit në Nivicë, automjet rezulton i përfshirë në ngjarjen e rrëmbimit dhe të tritolit.

Me qëllim humbjen e gjurmëve është tentuar të lyhej dhe t’i ndryshohej ngjyra.

Pasi janë futur në kurth, mendohet që Leonard Thodhori dhe Fatmir Sulovari, janë transportuar për në fshatin Sorone, dhe të jenë mbajtur në disa stalla bagëtish, në pronësi të një personazhi problematik në zonë, i cili së fundmi është pjesë edhe e një fashikulli hetimor, që lidhet me dy ngjarje të rënda të ndodhura në Tiranë.

Stanet më herët thuhet se janë përdorur për fshehjen e sasisë së drogës, që kalonte në Greqi, aty ku mendohet se Leonard Thodhori dhe Fatmir Sulovari, janë vrarë dhe më pas trupat e tyre janë zhdukur për të mos u gjendur edhe sot.

Shkak fillestar për këtë rrëmbim dhe më pas zhdukje të trupave, thuhet të jetë bërë një tokë që ‘Koçolja’, në këtë rast Leonard Thodhori, kishte shitur në Sarandë.

Bëhet fjalë për një parcelë me një vlerë të konsiderueshme, për të cilën ai thuhet se ka kërcënuar personat me të cilët ishte në këtë marrëdhënie se nëse nuk do t’i jepnin paratë, ai do të rrëfente krimet që kishin kryer.

Dyshimet e policisë janë se dy të rrëmbyerit janë vrarë dhe trupat e tyre janë fshehur në fshatin Vrinë. Atje ky prej ditësh kryhen kërkime intensive, jo vetëm nga policia, por janë edhe familjarët të cilët privatisht, kërkojnë por edhe protestojnë që ngjarja të zbardhet dhe të gjenden trupat e të afërmve të tyre.